Wed, Nov 27, 2024

“Thirrje SPAK-ut, të ndalojë pagesat për inceneratorin e Tiranës!”, Braimllari: Të hetojë deri në fund, pa kompromis çdo zyrtar për rolin e tyre

  • PublishedJuly 21, 2023

Kreu i këshilltarëve bashkiakë të Partisë së Lirisë në Bashkinë e Tiranës Endrit Braimllari i bëri thirrje sot SPAK-ut të ndalojë pagesat për inceneratorin e Tiranës.

Braimllari tha në një deklaratë për mediat se braktisja e mbledhjes se këshillit Bashkiak nga Erion Veliaj tregon qartë panikun e tij, si një njeri që do të bëjë çdo gjë për t’i shpëtuar llogaridhënies me publikun dhe përballjes me drejtësinë, pasi të dyja e nxjerrin fajtor.

Sipas tij, Erion Veliaj është propozuesi, ideatori, dhe zbatuesi i aferës korruptive të inceneratorit të Tiranës.

DEKLARATA E PLOTË
Erion Veliaj është i tmerruar nga mega afera korruptive e inceneratorit të Tiranës.
Dje në mbledhjen e e Këshillit Bashkiak, shumë e rëndësishme për Tiranën pasi diskutohej projekt buxheti 2024-2026 i bashkisë;

Erion Veliaj nuk pati guxim të përballej me këshilltarët e opozitës duke braktisur mbledhjen e këshillit bashkiak në momentin që këshilltarët e opozitës morën fjalën duke i kërkuar transparencë mbi inceneratorin e Tiranës.

Braktisja e mbledhjes se këshillit Bashkiak nga Erion Veliaj tregon qartë panikun e tij, si një njeri që do të bëjë çdo gjë për t’i shpëtuar llogaridhënies me publikun dhe përballjes me drejtësinë, pasi të dyja e nxjerrin fajtor.

Erion Veliaj është propozuesi, ideatori, dhe zbatuesi i aferës korruptive të inceneratorit të Tiranës.

Erion Veliaj ka firmosur “Miratimin në Parim të Studimit të Fizibilitetit të Koncesionit”, në kundërshtim me ligjin, pasi këtë miratim, ligji ja atribuon Këshillit Bashkiak.

Edhe përfaqësuesit e Erion Veliajt në komisionin e dhënies me koncesionin, të dirigjuar nga urdhrat e kryetarit të bashkisë, kanë deklaruar zyrtarisht se mjaftonte firma e Veliajt dhe jo Këshilli Bashkiak, i cili është i vetmi institucion që është përgjegjës për buxhetin.

Sot, Bashkia e Tiranës paguan çdo ditë miliona nga taksat e shqiptarëve, për një shërbim që nuk kryhet sipas kontratës koncesionare. Dhe kjo është përgjegjësi direkte e Erion Veliaj, i cili në cilësinë e kryetarit të bashkisë, është përgjegjës kryesor për menaxhimin e mbetjeve.

Erion Veliaj në mbledhjen e ditës së djeshme nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej pyetjeve të opozitës dhe nën panik u largua nga mbledhja e këshillit bashkiak duke treguar qartë frikën nga autorësia e kësaj mega afere korruptive.

Erion Veliaj iu shmang këtyre pyetjeve në këshillin bashkiak:
A ka qenë parashikuar në buxhetin e kaluar si zë në buxhet financimi i inceneratorit nga Bashkia Tiranë?

2. Sa ton mbetje janë depozituar çdo vit kalendarik që nga lidhja e marrëveshjes së Bashkisë së Tiranës në landfillin e Sharrës?

3. Sa është buxheti i Bashkisë Tiranë për inceneratorin e Tiranës?

Sa para janë paguar çdo ditë nga buxheti i Bashkisë së Tiranës për inceneratorin e Tiranës, që nga nisja e kësaj kontrate.

4. Pse Erion Veliaj nuk ju drejtuar Këshillit Bashkiak për këtë çështje në vitin 2017? Duke I rrëmbyer kështu kompetencat këshillit bashkiak?

Këto janë pyetje që shqetësojnë çdo ditë Erion Veliaj, sepse ai është i vetëdijshëm mbi autorësinë, përgjegjësinë dhe përfitimin e drejtpërdrejtë nga kjo aferë korruptive.

Këshilltarët e Partisë së Lirisë në këshillin bashkiak të Tiranës do të luftojnë çdo ditë për transparencë dhe llogaridhënie.

Ne do të përmbushim premtimin tonë përpara qytetarëve të Tiranës që Bashkia e Tiranës do t’i nënshtrohet transparencës dhe llogaridhënies. Erion Veliaj nuk mund t’i shmanget transparencës dhe llogaridhënien.

I bëjmë thirrje SPAK, të ndalojë pagesat për inceneratorin e Tiranës. Të hetojë deri në fund, pa kompromis, që nga Erion Veliaj dhe deri të zyrtari më i fundit në bashkinë e Tiranës, për Rolin e tyre tek inceneratori i i Tiranës, gropa e madhe që po ha paratë e shqiptarëve.

AlbaniaWeb.net