“E premtja e zezë” me 12 viktima, reagon Berisha: Dënoj indiferencën kriminale, shteti për qytetarët nuk ekziston
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas ngjarjeve të ditës së djeshme, ku humbën jetën 12 persona.
Në një postim në Facebook, Berisha e ka quajtur ditën e djeshme si ‘e premtja e zezë’, teksa ka shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave. Kujtojmë se bilanci i humbjeve të jetëve u rëndua si pasojë e vdekjes në spital të një të riu që u përfshi gjatë natës në aksident.
Më tej Berisha është shprehur se dënon indiferencën kriminale për sigurinë e ujërave në vend.
Postimi i plotë:
Një e premte e zezë me 11 viktima, si në një vend pa shtet.
Të dashur miq, dje ishte një ditë tragjike në ujrat shqiptare dhe jo vetëm në to. Në ujrat e liqenit të Banjës u mbytën Arben Zogu, 46 vjeç, me dy djemtë e tij, Rubensin Zogu, 19 vjeç dhe Estin Zogu 14 vjeç, si dhe kushëririn e tyre Melsi Zogu, 20 vjeç. Kjo tragjedi e madhe familjare, që ka tronditur thellë shoqerinë tonë ishte plotësisht e parandalueshme, në rast se do ushtroheshin përgjegjësitë shtetërore, për përdorimin e liqenit për qëllime turistike, plazhi dhe noti. Por shteti, për qytetarët nuk ekziston.
Duke shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes dhe banorëve të Gramshit, për këtë tragjedi të rëndë familjare, dënoj me ashpërsinë më të madhe indiferencën kriminale, për sigurinë në ujrat e vendit, që shprehet kudo dhe në të gjitha fushat, ndërsa dje ka patur edhe 7 viktima të tjera në ujra, rrugë, kabina elektrike etj.