Fri, Nov 29, 2024

Nga Vlora në Sarandë, bllokohen 30 mjete lundruese për shkelje të ndryshme, gjoba deri në 1 mln lekë

  • PublishedJuly 23, 2023

Në të gjithë hapësirën ujore të qarkut Vlorë me grupe kontrolli nga Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare vijojnë verifikimet ndaj mjeteve lundruese, me qëllimin e vetëm parandalimin e incidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve.

Nga Vlora në Sarandë janë bllokuar 30 mjete të tjera lundruese për shkelje si lundrim/bregëzim jashtë zonës së përcaktuar, tejkalim i kapacitetit të mbajtjes së personave në bord dhe mungesë dokumentacioni.

Krahas bllokimit të mjeteve lundruese, drejtuesit e tyre u ndëshkuan me masa administrative që variojnë nga 10 000 deri në 100 000 lekë të rinj.

Si rezultat i monitorimit të vijës bregdetare dhe të hapësirës ujore të qarkut Vlorë, me objektivin primar, garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve dhe pushuesve, Njësia Policore Detare, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare të DVKM Vlorë, ka bllokuar 30 mjete të tjera lundruese, të cilat u konstatuan në paligjshmëri të ndryshme.

– Në Radhimë, Ksamil, Borsh, Lukovë dhe në Vlorë janë bllokuar 12 mjete lundruese Jet Ski. Njëri nga drejtuesit u ndëshkua me masat 100 000 lekë të rinj dhe 10 000 lekë të rinj, për lundrim në zonë të ndaluar dhe për mungesë dokumentacioni; 2 drejtues u ndëshkuan me nga 100 000 lekë të rinj, për lundrim dhe bregëzim në zonë të ndaluar, ndërsa 9 drejtuesit e tjerë u ndëshkuan secili me nga 10 000 lekë të rinj, për mungesë dokumentacioni;

– Në Sarandë, Borsh, Jalë, Himarë, Radhimë, në gjirin e Vlorës dhe plazhin e vjetër Vlorë janë bllokuar 13 mjete lundruese gomone. 3 nga drejtuesit u ndëshkuan me masat 100 000 lekë të rinj dhe 20 000 lekë të rinj, për lundrim në zonë të ndaluar, për mungesë dokumentacioni dhe bregëzim në zonë të ndaluar; 9 drejtues u ndëshkuan secili me nga 10 000 lekë të rinj, për mungesë dokumentacioni, ndërsa drejtuesi tjetër u ndëshkua më 30 000 lekë të rinj, për tejkalim të kapacitetit të personave të lejuar në bord;

– Në Radhimë, Dhërmi, në shpellën e Lukovës dhe në Vlorë u bllokuan 5 mjete lundruese skafe. 3 nga drejtuesit u ndëshkuan me masën 100 000 lekë të rinj, për lundrim në zona të ndaluara, ndërsa 2 drejtuesit e tjerë u ndëshkuan me 10 000 lekë të rinj, për mungesë dokumentacioni.

Policia Kufitare e Vlorës apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete, me qëllim që ata dhe pushuesit e tjerë të jenë të sigurt dhe të qetë.

Gjithashtu, fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në bazë të ligjit.

AlbaniaWeb.net