Asgjësohen 290 bimë kanabis në Kurbin, arrestohet 45-vjeçari, procedohet kryetari i fshatit dhe inspektori i zonës
KURBIN
Asgjësohen nëpërmjet djegies, 290 bimë narkotike cannabis sativa në fshatin Dilbnisht, njësia administrative Milot, ndalohet autori i dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve.
Gjithashtu, procedohen penalisht për shpërdorim detyre, kryetari i fshatit Dilbnisht dhe inspektori i pyjeve të kësaj zone.
Në zbatim të planit operacional mbarëkombëtar, të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për intensifikimin e kontrolleve, me qëllim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin kanë organizuar dhe finalizuar fazën e 29-të të megaoperacionit policor antikanabis në nivel qarku, të koduar “Imazhi”.
Gjatë kësaj faze, si rezultat i kontrolleve nga toka dhe me dronë, në fshatin Dilbnisht, njësia administrative Milot, shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara 290 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat pas kryerjes së veprimeve procedurale, u asgjësuan nëpërmjet djegies.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, u bë i mundur identifikimi dhe ndalimi i shtetasit G. Gj. 45 vjeç, banues në Laç, autor i dyshuar i kultivimit të këtyre bimëve narkotike.
Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë për shpërdorim të detyrës edhe shtetasi S. G. 54 vjeç me detyrë kryetar i fshatit Delbnisht si dhe shtetasi M. Gj. 37 vjeç, me detyrë inspektor i zonës ku janë gjetur bimët narkotike.
Vijon puna hetimore për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.