Tue, Nov 26, 2024

Veliaj nderon me “Çelësin e Qytetit” ambasadorin e Katarit: Do të mbahet mend për kontributin e dhënë për shkollat, kopshtet, çerdhet dhe ditët e vështira të Tiranës

  • PublishedJuly 25, 2023

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim ambasadorin e Katarit në Tiranë, Ali bin Hamad Al Marri, të cilit në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe bashkëpunimin, i dhuroi Çelësin e Qytetit. Veliaj i uroi suksese në detyrat e ardhshme ambasadorit, Ali bin Hamad Al Marri, i cili përmbylli me sukses mandatin e tij në Tiranë.

“Sot është patjetër një ditë gëzimi, se ne vlerësojmë një mik të shtrenjtë, por është edhe një ditë kur një miku të shtrenjtë, ne i themi faleminderit, mirupafshim deri herën tjetër, sepse ambasadori i Katarit mbyll shërbimin e tij në Tiranë. Ai ka marrë të gjitha falenderimet e ministres sonë të jashtme, kryeministrit, Presidentit të Republikës, por unë ndjej posaçërisht një falënderim dhe një mirënjohje të veçantë për të. Në qytetin e Tiranës kemi pasur edhe një raport njerëzor dhe një kontribut konkret për gjitha punët e bukura që, nëpërmjet ndihmës së Katarit, kemi arritur t’i bëjmë në Tiranë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë shprehu mirënjohjen për ambasadorin e Katarit, duke theksuar se do mbahet mend për “shkollat, kopshtet konkrete, për ndihmat që kemi shpërndarë në ditët e tërmetit e të pandemisë, për vaksinat, për gjithë organizimet që bëmë rreth Kupës së Botës në Katar, për ditët e sportit që kemi festuar, për ndihmën që na dha për Vitin e Rinisë dhe për këtë vit ku Tirana është qyteti Evropian i Sportit.”

“Jam vërtet mirënjohës dhe nëse për shumë prej nesh që merren me fjalime, fjalimet harrohen dhe shumë diplomatë që bëjnë fjalime, fjalimet i zënë vendin fjalimit tjetër, ndërkohë që kopshti që kemi bërë në Bllok, shkolla “Lasgush Poradeci”, shkolla në Pezë, “Jeronim De Rada” dhe më në fund lajmi i shkëlqyer për sheshin e Katarit që do të kemi në fund të Bulevardit të Ri, një donacion prej 11 milionë eurosh nga qeveria e Katarit, do të mbeten jo vetëm kur mbarojnë mandatet tona si ambasadorë dhe si kryetarë bashkie, por do të mbeten edhe kur të mos jemi më në këtë jetë sepse janë kontribute që do të zgjasin përtej jetës sonë dhe do të jenë këtu ndoshta në dhjetëra e qindra vitet e ardhshme. Në emër të gjithë këtyre kontributeve, jo vetëm me fjalime, por me ndihmë konkrete, në ditët e vështira aty ku njihen miqtë e vërtetë, unë dua t’ju dhuroj Çelësin e qytetit të Tiranës. Do të doja shumë që ky çelës të ishte simbol i një dere, zemre të hapur, një mendje të hapur për dashurinë, për respektin, mirënjohejn që keni për të gjithë kontributin tuaj z. Ambasador”, u shpreh Veliaj.

Ambasadori i Katarit në Tiranë, Ali bin Hamad Al Marri falenderoi Veliajn për bashkëpunimet e frytshme që Katari dhe Tirana kanë realizuar.

“Gjatë mandatit tim 5 vjeçar në Tiranë, kam gjetur një derë të hapur bashkëpunimi, falë kryetarit të Bashkisë së Tiranës, me anë të të cilit kemi bërë shumë punë të mira dhe jam shumë i lumtur që ky bashkëpunim ka dhënë fryte të prekshme. Në ditë të vështira kemi qëndruar pranë njëri-tjetrit, qoftë në periudhën e tërmetit, gjithashtu edhe gjatë pandemisë. Edhe në ditë të mira kemi qëndruar gjithmonë bashkë, për raste të Ditës së Sportit e shumë evente të tjera, gjithashtu në ditë të lumtura për të dy palët, kemi pasur mundësi të përshpejtojmë projektin përfundimtar të Bulevardit të Ri. S’kam si të mos jem krenar që gjatë mandatit tim u miratuan edhe projektet dhe patjetër që do të vij për vizitë personale tek vëllai im, në ditët e ardhshme. I uroj gjithë suksesin e mundshëm vëllait tim Erionit, qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe gjithashtu popullit mik shqiptar”, tha ambasadori.

AlbaniaWeb.net