Barazia gjinore dhe gjuha e urrejtjes në transmetimet televizive, rregullat dhe ndëshkimet e parashikuara në ligj dhe Kodin e ri të Transmetimit
Deri në 400 mijë lek është gjoba që parashikon ligji për transmetuesit audiovizivë në rast se shkelin, qoftë edhe një nga nenet e Kodit të ri të Transmetimit që lidhen me diskriminimin, barazinë gjinore apo përdorimin e gjuhës së urrejtjes.
Duke nisur nga fillimi i këtij muaji, kur u miratua kodifikimi i ri për transmetimet televizive, me shtimin e seksioneve të reja, për herë të parë, një vëmendje e veçantë i kushtohet parandalimit të diskriminimit gjinor të çfarëdo lloj forme, promovimit të barazisë gjinore, përfaqësimit të ekuilibruar gjinor në programe etj. Në Kodin e ri i është lënë hapësira e duhur edhe për luftën kundër seksizmit në mediat audiovizive, të cilat mund të provokojnë diskriminimin për shkak të gjinisë ose të nxisin rastet e dhunës me bazë gjinore.
Të gjitha këto, bashkë me shtesat e bëra për mbrojtjen e fëmijëve në programet e të gjitha llojeve, mbrojtjen e të drejtave dhe aksesi i personave me aftësi të kufizuara etj., parashikohet të sigurohet etika dhe garantimi i të drejtave themelore në transmetimet televizive të çdo lloji dhe, sidomos, një orientim i mjaftueshëm për transmetuesit televizivë për të gjykuar dhe trajtuar, konform ligjit, ngjarje apo personazhe të cilëve u dedikohet hapësirë televizive.
Kodi i ri i Transmetimit është produkt i një pune 1-vjeçare e Këshillit të Ankesave, i cili inicioi konsultim publik në të gjitha qarqet e vendit me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të televizioneve, organizatave të shoqërisë civile, përfaqësuesve të institucioneve në nivel qëndror dhe lokal si dhe partnerëve vendas dhe ndërkombëtarë.
Në këto tryeza këshillimore lidhur me Projektkodin e rishikuar të Transmetimit kanë dhanë mendimet e tyre, duke marrë pjesë në diskutime, 87 profesionistë të medias dhe përfaqësues të televizioneve, 78 përfaqësues të shoqatave të grupeve të prekura të interesit, 79 ekspertë të medias dhe komunikimit, 70 përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore si edhe 17 ekspertë dhe përfaqësues të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare. Përfaqësitë e Këshillit të Europës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, të cilat e ndoqën nga afër të gjithë procesin, mundësuan edhe marrjen e mendimit të ekspertit të Këshillit të Europës për Projektkodin.
Kodi i sapomiratuar i Transmetimit reflekton në mënyrë të ekuilibruar pritshmëritë e të gjitha grupeve të interesit, evoluimin e kuadrit ligjor vendas dhe ndërkombëtar si edhe rekomandimet e ekspertëve vendas dhe të huaj sipas standardeve dhe nevojave të tregut audioviziv shqiptar.