Fri, Nov 29, 2024

Dosja e korrupsionit mes ish-avokatit të Shtetit dhe Rrumit shkon në gjyq

  • PublishedJuly 26, 2023

Prokuroria e Posaçme, SPAK njoftoi të mërkurën se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë një kërkesë për gjykimin e Irgen Kërçukut, ish-zyrtar i Avokatit të Shtetit dhe Aleksandër Lahos – një eksponent i krimit të organizuar me akuzat e korrupsionit.

“Në analizë të veprimeve hetimore të kryera është provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm se, i pandehuri , me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, avokat i shtetit në Zyrën Vendore të Avokaturës së Shtetit, ka marrë një përfitim të parregullt në vlerën 900 000 lekë nga i pandehuri i quajtur ndryshe “Rumi”…,” thuhet në njoftimin për shtyp.

Laho, i njohur ndryshe edhe me nofkën Rrumi, i ka dhënë ryshfet Kërçukut për të mos ushtruar ankim në Gjykatën e Apelit ndaj tjetërsimit të 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.

Të akuzuar zyrtarisht në nëntor 2022, Kërçuku ndodhet në ‘arrest shtëpie’ ndërsa Aleksandër Laho është shpallur në kërkim.

Prova që solli akuzat për korrupsion aktiv, në rastin e Rrumit, dhe korrupsion pasiv, në rastin e Kërçukut, është një video që duket se është regjistruar me celularin e vetë Rrumit, ndërsa ky i fundit shfaqet duke negociuar me Kërçukun një ryshfet të majmë me kushtin që ky i fundit të mos kryente detyrën e vet të apelimit të një vendimi të Gjykatës së Durrësit, e cila ia njihte pronësinë e tokës një të moshuari nga fshati Draç.

Një investigim i mëparshëm i BIRN zbuloi se Rrumi pati paguar nëntëqind mijë lekë për të sjellë hyrjen në fuqi të vendimit pa u apeluar dhe se Kërçuku pati deklaruar para prokurorëve se ai i kishte marrë paratë nën kërcënim dhe se i kishte kthyer sërish pas nën kërcënim.

Videoja në fjalë ra në duart e prokurorëve pasi në nëntor të vitit 2019, në mbikalimin e Shkozetit, një atentat mafioz shënjestroi makinën në të cilën udhëtonte Rrumi, ndërsa në shoqëri me të ishte edhe ish-prokurori .