Arabia “përndjek” yjet, e refuzoi Mbappe, tani Al Hilal kërkon Osimhen
Me një fond pa limit dhe më dëshirën për të rritur imazhin e klubit dhe të Ligës saudite, Al Hilal as që ka ndërmend të dorëzohet, pavarësisht refuzimit publik nga Kylian Mbappe. Sheikët kërkojnë një “bomber” dhe tashmë kanë kthyer vështrimin nga Victor Osimhen. Sipas L’Equipe, milionat që ishin destinuar për Mbappe do të shkojnë për të siguruar kartonin e sulmuesit nigerian, sigurisht jo të gjitha, por një pjesë e mirë. Me shumë mundësi, përfaqësuesit e Al Hilal do të trokasin në derën e De Laurentiis me 180 milionë euro, aq sa kërkon bosi i Napoli për të lënë të lirë sulmuesin më të mirë në Serie A. Kur bëhet fjalë për kontrata personale, e sigurt është që klubet saudite nuk kanë rivalë. Fakt është që këtë periudhë Osimhen është kërkuar nga disa klube të rëndësishëm Evropiane, ekipe si Bayern Munich apo Man.United, por në çdo rast hasën në refuzimin e De Laurentiis.
Fakt është gjithashtu që Napoli dhe Osimhen po negociojnë mundësinë për të rinovuar kontratën aktuale deri në 2027. Ashtu si Mbappe edhe Osimhen kërkon ende të qëndrojë në futbollin e rëndësishëm, një pistë e mundshme është pikërisht PSG, gjithnjë nëse Mbappe largohet për në Madrid.
Sipas L’Equipe, Al Hilal është shumë pranë arritjes së akordit me Marco Verrattin. Mesfushori i PSG është gati të firmos një kontratë 3-vjeçare nga ku do të përfitojë 25-30 milionë euro. Më herët, gjatë kësaj merkatoje vere, Al Hilal ka siguruar shërbimet e Milinkovic-Savic dhe Koulibaly nga Chelsea.
()