Porti i Durrësit në Porto Romano, 309 persona do shpronësohen për 8 milionë euro
Të paktën 309 pasuri do të preken nga projekti i zhvendosjes së Portit të ri të Durrësit në Porto Romano. Agjencia Shtetërorë për Shpronësim ka bërë publike listën dhe ku vlera korresponduese në lekë është 821 milionë apo rreth 8 milionë euro.
Ndërkohë metrat katror të shpronësuar llogaritet në 1.4 milionë m2 tokë. Në publikimin e listës dhe të detajeve ASSH nënvizon se kërkesa është bërë nga Autoriteti Portual Durrës.
“Agjencia Shtetërore për Shpronësim shpall kërkesën “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Miratimi i masterplanit strategjik Durrës-Porto-Romano 2030, faza 1- Studimi i Fizibilitetit për ndërtimin, përditësimin dhe zgjerimin e infrastrukturës portuale të portit të integruar të Durrësit në Porto-Romano”. Subjekti kërkues i këtij projekti është Autoriteti Portual Durrës.
Me anë të këtij publikimi kërkojmë të vëmë në dijeni personat e prekur nga ky shpronësim për interes publik, për pasuritë e paluajtshme, prone private, të cilat do të kompensohen sipas vlerësimit paraprak të llogaritur, për pasuritë e llojit “arë” bazuar në VKM-në nr. 89, datë 3.2.2016, “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë”.
Personat që preken nga ky projekt të cilët kanë emrin në tabelën e publikuar dhe personat të cilët preken por nuk figurojnë në listë, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga publikimi në Fletoren Zyrtare, kanë të drejtë të paraqesin pretendimet e tyre, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës, si edhe të shprehen nëse janë dakord me të dhënat e publikuara për përfundimin e procedurave të shpronësimit, në Autoritetin Portual Durrës, si dhe në Agjencinë Shtetërore për Shpronësim.
Vlera totale paraprake e shpronësimit është 821,355,192.4 (tetëqind e njëzet e një milionë e treqind e pesëdhjetë e pesë mijë e njëqind e nëntëdhjetë e dy pikë katër) lekë” thuhet në kërkesën publikuar në Fletoren Zyrtare.
Porti i ri në Porto Romano
Porti i ri i Durrësit do të zhvendoset në Porto Romano duke ndërtuar nga e para këtë infrastrukturë. Kjo erdhi pas miratimit të një tjetër investimi mbi Portin ekzistues në Durrës ku do të zhvillohet Durrës Marina & Yachts, një projekt që ka si investitor kryesor Mohamed Alabbar ndërkohë që pjesëmarrës është edhe shteti shqiptar. Për projektin e ri të portit ndërkohë u zhvillua një studim dhe në dhjetor të vitit të shkuar u përzgjodh edhe modeli.
Porti do të jetë një model C2 që zhvillohet në breg. Ndërtimi i portit të ri në Porto Romano do të kërkojë financime të konsiderueshme për zbatimin e plotë të tij dhe vetëm në fazën e parë 390 milionë euro pa TVSH. Të paktën 46% e financimit do të sigurohet nga qeveria dhe 54% nga sektori privat.
Gjatë prezantimit të projektit vitin e shkuar përfaqësues të kompanisë Royal Haskoning DHV thanë se ky investim është i konsiderueshëm dhe normalisht duhet të jetë qeveria që të mbajë një pjesë të mirë të peshës së tij. Ndërkohë sipas një kontrate ndërto dhe financo edhe operatorët e sektorit privat do të duhet të sigurojnë një shumë jo të vogël.
Modeli i një PPP-je në ndërtim duket se do të shtrihet edhe në këtë projekt ndërkohë që edhe operimi do të përfshijë sektorin privat me kontrata specifike një model që e ka aktualisht edhe Porti i Durrësit.
Ku parashikohet të ndërtohet Porti
“Sipërfaqja aktuale ku parashikohet të zhvillohet projekti i Portit të Durrësit në Porto Romano, konsiston kryesisht në toka bujqësore të përfituara nga bonifikimi i ish-kënetës së Durrësit. Kullimi i ujërave sipërfaqësore garantohet nga një sistem kanalesh kulluese të hapura, të cilët konvergojnë në pikën me kuotën më të ulët të zonës, aty ku aktualisht ndodhet stacioni i pompimit të Hidrovorit. Në pjesën perëndimore të bregdetit, zhvillohen aktivitete sezonale që lidhen me turizmin si plazhe private, bare dhe restorante.
Në pjesën veriore janë instaluar depozitat e shoqërisë së hidrokarbureve Royal Trade sh.a, ndërsa në jug zona kufizohet nga dy hapësirat koncesionare të porteve private, Romano Port sh.a dhe MBM sh.a. Në kufijtë e zonës së zhvillimit, nga ana lindore, ndodhet fshati Rinia.
Në një distancë prej rreth 2-3km më në jug ndodhet zona e parashikuar për realizimin e parkut fotovoltaik të Spitallës. Pranë portit të ri, në verilindje dhe jugperëndim të fshatit Rinia, janë parashikuar ndërtime rezidenciale. Gjithashtu pranë portit ndodhet dhe Parku Olimpik/Parku Ekologjik”, thuhet në një dokument të APD./Monitor