Debati për zgjedhjen e kreut të ri, Pampuri kundër Bardhit: Mos fol në emër të Grupit të PD, nesër ka zgjedhje!
Zëdhënësja e Grupit Parlamentar të PD, Orjola Pampuri ka thënë se deklarata në emër të grupit parlamentar pa dijeninë e anëtarëve nuk ka vërtetësi.
Gjithashtu ajo shton se nxitimi për të ndërmarrë hapa antistatutore nuk ndihmon askënd dhe nuk legjimiton asnjë vendim.
REAGIMI I PLOTË:
Si Zëdhënëse e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, dua të theksoj se;
Deklarata në emër të grupit parlamentar, pa dijeninë anëtarëve të grupit nuk gëzojnë vërtetësi.
Nxitimin për të ndërmarrë hapa antistatutorë nuk ndihmon askënd, dhe nuk e legjitimon asnjë vendim. Kjo duhet të marrë fund. Individualisht deputetë të grupit mund të shprehin mendime e qëndrime, por të flitet në emër të grupit, pa pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve është e tepërt.
Nesër, Partia Demokratike ka zgjedhje dhe ky është një vendim i miratuar nga kryesia dhe këshilli kombëtar, mendimet dhe qëndrimet kundër mbajnë emër dhe mbiemër të çdo deputeti, por mllefet kolektive, nuk mund t’i atribuohen grupit parlamentar.
Partia Demokratike është e demokratëve, deputetët janë njerëz me dinjitet e integritet, dhe në asnjë moment nuk mund të shndërrohen në tabele qitje për të shfryrë mllefet e frustrimet e brendshme të askujt, apo për të mbrojtur interesat personalë të dikujt.
()