Tue, Nov 26, 2024

Zbardhen detajet/ Nga rekrutimi prej Ndrea Prendit, te shofer zëvendësues i Nikollës, kush është gardisti i arrestuar pas dhunës në Hamallaj

  • PublishedJuly 31, 2023

Pas shkarkimit nga detyra si pjesë e Gradës, pasditen e sotme Martin Nikolli është vënë në pranga, pas ngjarjes së ndodhur në Hamallaj, ku u dhunuan anëtarë të familjes Kaçi.

Pas sherrit që nisi për rrugën midis dy familjeve, Nikolli dhe Kaçi, mësohet se Martin Nikolli, punonjës i Gardës së Republikës, ka qëlluar edhe me armën e shërbimit.

Por kush është Martin Nikolli? Mësohet se ai ka filluar punë në Gardën e Republikës në korrik të vitit 2006, me detyrën shofer në zyrën për shërbimet e delegacioneve.  Në këtë detyrë është rekrutuar asokohe nga Ndrea Prendi, Komandanti i përgjithshëm i gardës, i njohur për publikun si drejtuesi i grupit të zjarrit që qëlloi me armë zjarri në 21 janar 2011, duke lënë 4 protestues të vrarë.

Më pas, në nëntor të vitit 2007 është emëruar shoqërues / shofer për Presidentin e Republikës Bamir Topi, detyrë që e ka kryer deri në vitin 2012.  Në periudhën 2012-2017 ka punuar si shofer në struktura shërbimi në gardë.

Më tutje, prej vitit 2017 deri në vitin 2021 ka shërbyer si Truprojë dhe shofer për zëvendës Kryeministrin.

Së fundmi, prej shtatorit 2021 mbante detyrën e shoferit rezervë për Kryetarin e Kuvendit, por pa qenë asnjë ditë shoferi i makinës së Lindita Nikollës përgjatë aktivitetit të saj të përditshëm si kryeparlamentare.

AlbaniaWeb.net