Tue, Nov 26, 2024

Të dhënat e INSTAT: 13% e të rinjve 25-29 vjeç nuk duan të punojnë

  • PublishedJuly 31, 2023

Të rinjtë, sidomos ata në moshë pune, e kanë të vështirë orientimin në tregun e brendshëm të punës, teksa po i drejtohen gjithnjë e më shumë emigracionit për këtë problem.

Të dhënat e INSTAT që i takojnë tremujorit të parë të vitit 2023 tregojnë së 13% e të rinjve në moshë 25-29 vjeç nuk janë aktivë në tregun e punës.

Të rinjtë e kësaj moshe nuk janë as në punë dhe as nuk janë në kërkim të një punë dhe në treguesit e punësimit raportohen jo-aktivë. Kjo grupmoshë praktikisht ka përfunduar të gjithë ciklin e studimeve, teksa interesi për tregun e punës duhet të jetë i lartë si kërkesë e moshës për të krijuar familje.

Në raport me disa vite më parë, shkalla e inaktivitetit në tregun e punës në moshën 25-29 vjeç ka rënë si pasojë e emigracionit të lartë të të rinjve dhe tkurrjes natyrore të popullsisë së re nga pakësimi i lindjeve në këto tre dekada të tranzicionit.

Ndërkohë që në treg janë krijuar hapësira nga pakësimi i popullsisë dhe rritja e kërkesës për punonjës nga industria, ndërtimi dhe turizmi, të rinjtë nuk po e gjejnë vetën.

Në tremujorin e parë të vitit 2023, papunësia e të rinjve shënoi rritje të mëtejshme teksa përmirësimet në tregun e punës erdhën nga punësimi më i lartë i pensionistëve.

Edhe numri të rinjve të regjistruar si të papunë në zyrat e punës ka shënuar rritje në tremujorin e parë të vitit 2023 në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave zyrtare.

Burimet administrative tregojnë se në tremujorin e parë u regjistruan si të papunë në zyrat e punës 17,988 persona të moshës 15-29 vjeç, rreth 1500 ose 8.7% më shumë se në janar-mars 2022.

Plakja graduale e popullsisë dhe emigracioni, që ka përfshirë kryesisht të rinjtë, po e ndryshon ndjeshëm strukturën e popullsisë në vend, duke përmbysur piramidën në favor të moshave më të vjetra.

Popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2023 rezulton 2.761.785 banorë, me rënie 1.1%, ose 31.8 mijë persona më pak sesa një vit më parë.

Të dhënat më të detajuara të INSTAT, sipas grupmoshave, të përpunuara nga Monitor, tregojnë se rënien më të madhe e ka pësuar grupmosha deri në 29 vjeç, sidomos ajo nga 15-29 vjeç, që ka qenë më e prirë dhe për të emigruar, si për shkollë, me prindërit, apo për të punuar.

Në total, vendi kishte 40 mijë më pak të rinj nga 0-29 vjeç në janar 2023, në krahasim me janarin 2022, nga të cilët 27.5 mijë, ose gati 70% janë të moshës 15-29 vjeç.

Ndërsa të rinjtë po pakësohen gjithnjë e më shumë, po shtohen me ritme të lartë të moshuarit mbi 60 vjeç, me gati 17 mijë persona më shumë se një vit më parë./Monitor/

AlbaniaWeb.net