Wed, Nov 27, 2024

Ndezën zjarre dhe dogjën sipërfaqe të madhe toke në Kavajë, Lazarat dhe Lushnje, 1 i arrestuar dhe 2 nën hetim

  • PublishedJuly 31, 2023

Policia ka arrestuar një person që dyshohet se ka ndezur zjarr dhe ka nisur procedimin në gjendje të lirë për dy të tjerë. Si pasojë e zjarreve janë djegur sipërfaqe të madhe toke në Lushnjë, Lazarat dhe Kavajë.

Uniformat blu bëjnë me dije se në pranga ka rënë shtetasi me iniciale P. U., 65 vjeç, banues në fshatin Lekaj, Rrogozhinë, ndërsa për shtetasit me iniciale P. K., 58 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër dhe V. B., 43 vjeçe, banuese në Lushnjë, ka nisur procedimi në gjendje të lirë.

Njoftimi:

Policia e Shtetit/Masa të shtuara për parandalimin e zjarrvënieve, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Identifikohen 3 shtetas që ndezën zjarre dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën sipërfaqe të mëdha toke, në Kavajë, në Lazarat dhe në Lushnjë.

Njëri prej tyre u arrestua në flagrancë, pasi zjarri që ai ndezi rrezikoi banesat, ndërsa 2 të tjerët u proceduan në gjendje të lirë.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasin P. U., 65 vjeç, banues në fshatin Lekaj, Rrogozhinë, pasi ka ndezur zjarr për djegien e kashtës, në tokën e tij, në fshatin Lekaj, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe ka rrezikur banesa dhe prona të banorëve të tjerë të fshatit. Pas ndërhyrjes së shërbimeve zjarrfikëse, është bërë e mundur fikja e zjarrit.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin P. K., 58 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr për djegien e mbetjeve të grurit, në vendin e quajtur “Sifoni”, në fshatin Lazarat, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me mbetje gruri (rreth 5 dynym).

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen V. B., 43 vjeçe, banuese në Lushnjë, pasi dyshohet se në lagjen “18 tetori”, zjarri që 43-vjeçarja kishte ndezur për djegien e mbeturinave, ka dalë jashtë kontrolli dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me bimësi, në pronësi të një shtetasi tjetër.

Shërbimet e Policisë, në zbatim të planit të masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për marrjen e masave me qëllim përballimin e situatave që mund të krijohen si rezultat i zjarreve në fondin pyjor e kullosor përgjatë sezonit veror 2023”, do të vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të kapur dhe vënë përpara përgjegjësisë penale të gjithë ata shtetas që ndezin zjarre, si në tokat e tyre, ashtu edhe në sipërfaqet pyjore apo në kullota.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.

AlbaniaWeb.net