Dinamo “flet” italisht, në kryeqytet vjen Di Biagio, pjesë e stafit edhe Memushaj
“Dinamo City”, projekti i ri i bluve, nis të marrë formë. Ekipi kryeqytetas pas vetëm një viti, në këtë rikthim të shpejtë në elitë, vjen me një projekt të bujshëm në letër. Ashtu siç pritej, Dritan Mehmeti nuk pranoi një post në ekipet e moshave, por zgjodhi të largohet nga Dinamo. Vendin e tij pritet të marrë një emër shumë i rëndësishëm i futbollit italian, Luigi Di Biagio, ish futbollist italian, ish trajner i ekipit U-21 të përfaqësueses “azzurre”. Di Biagio nuk është një emër i panjohur në Shqipëri, përpara se FSHF t’i besonte Sylvinho-s, u lakua në stolin e Kombëtares.
Di Biago ndoqi nga pranë ndeshjen miqësore ndërmjet Skënderbeut dhe Dinamos, ku në tribunë ishte së bashku me Igli Taren. Sipas Panorama Sport: Di Biagio nuk do të zbarkoj i vetëm në kryeqytet pasi përkrah tij do të jetë i emër i famshëm i futbollit kuqezi, ish lojtari i Kombëtares, Ledian Memushaj.
Ish mesfushori e ka mbyllur me futbollin e luajtur ndërsa tani do të vijojë punën si trajner, si ndihmës i Di Biagio-s. Pasi të prezantohet stafi i ri, Dinamo do të nisë të ndërtojë ekipin për sezonin e ri, ku parashikohen lëvizje të rëndësishme, për të qenë konkurrues këtë edicion.
()