Wed, Nov 27, 2024

SPAK kërkon gjykimin e Fredi Belerit për korrupsion në zgjedhje

  • PublishedAugust 1, 2023

Prokuroria e Posaçme përfundon hetimet për blerjen e votave nga kandidati fitues i Bashkisë Himarë gjatë zgjedhjeve lokale në muajin maj dhe kërkon gjykimin e tij për “korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsioni dhe Krimit të Organizuar, njoftoi të martën më 1 gusht se i ka kërkuar gjykatës respektive gjykimin e të zgjedhurit si kryetar i Bashkisë Himarë, , i akuzuar për “korrupsion aktiv në zgjedhje” si dhe të bashkëpunëtorit të tij, , i marrë i pandehur për të njëjtën vepër penale.

“Rezulton se është e provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm që i pandehuri Dhionisios Alfred Beleri i ka ofruar shtetasit shumat monetare prej 50 euro për çdo person që do të gjente Arseni, që do votonte për Belerin si kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë,” thuhet në njoftimin e SPAK, ku shtohet se vetë Rama do të shpërblehej me 300 euro për shërbimin.

Po ashtu, sqarohet se Beleri ia ka dhënë shumat monetare Ramës nëpërmjet të pandehurit tjetër Pandeli Kokaveshi, i cili ka qenë bashkëpunëtori i tij në kryerjen e këtij akti korruptiv. Sipas SPAK, Kokaveshi i ka dhënë shtetasit Arsen Rama tetë kartëmonedha të prerjes 5 000 lekëshe për tetë persona që do votonin në favor të Belerit. “Në rastin konkret të pandehurit e kanë kryer veprën penale me veprime aktive të kundërligjshme në dy forma të saj, si nëpërmjet premtimit dhe ofrimit të shumave monetare shtetasit Arsen Rama në mënyrë që ky i fundit të ndikonte tek vullneti i qytetarëve të tjerë për të siguruar vota në favor të të pandehurit Dhionisios Alfred Beleri në zgjedhjet vendore të datës 14.05.2023”, shprehet SPAK.

Beleri dhe Kokoveshi u arrestuan në minutat e para të 12 majit, vetëm dy ditë përpara datës kur do të votohej për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive. Beleri ishte kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” përballë kryebashkiakut socialist të Himarës, Jorgo Goro, që garoi për mandatin e tij të katërt. Megjithëse i arrestuar, Beleri u shpall fitues i zgjedhjeve të 14 majit për Himarën.

I njohur shkurtimisht si Fredi Beleri, ai ka garuar për PBDNJ-në në zgjedhjet e vitit 2015 dhe fitoi 27% të votave. Beleri sipas policisë është i dënuar më herët me tre vjet burg për “nxitje të urrejtjes nacionale” dhe është akuzuar nga përfaqësues të Partisë Socialiste si i përfshirë në atë që njihet si “Masakra e Peshkëpisë” në vitin 1994. Beleri i ka mohuar akuzat dhe ka ngritur padi për shpifje ndaj Taulant Ballës për këtë akuzë.