“Nuk flas tani për turin tjetër”, Zekic: Partizani do ndryshojë nesër, rëndësi ka si do mbyllim ndeshjen
Partizani triumfoi 1-0 ndaj Atletic Escaldes në aktin e parë të turit të dytë të Conference League, sakaq ndeshja e kthimit luhet në “Air Albania” këtë të martë në orën 20.45.
“E kemi analizuar ndeshjen e parë. Ne mund të jemi të lumtur për rezultatin në Andorra, por jo për mënyrën si luajtëm. Por, ne kemi parë dhe sa gjëra nuk bëmë mirë, taktikisht, në vrapim, pa agresivitet, duke qenë në vonesë shpesh. Për të vazhduar më tej duhet të ndryshojmë shumë gjëra. Kam folur me ekipin. Nuk ka kundërshtar të lehtë pas tre javësh në këtë kompeticion, por ne duhet të kuptojmë që duhet përqendrim i madh dhe të jemi shumë më mirë. Ne e pamë për shembull se si Ferencvarosi luajti ndaj skuadrës të Ishujve Faroe, se si skuadra tjetër e Andorras fitoi ndaj Hibernian. Ndaj duhet të mendojmë për këto shembuj. Me siguri do të ndryshojë diçka, ndoshta sistemin, disa lojtarë. Nuk është e rëndësishme si e nis, por si e mbyll. Me 5 ndryshime mund të ndryshosh ritmin e lojës dhe për mua të gjithë lojtarët janë shumë, shumë të rëndësishëm.
Kemi folur shumë pas kësaj ndeshje, kemi parë shumë momente të papëlqyeshme, shpresoj që të kuptojmë më mirë njëri-tjetrin. Sigurisht mund lë luajmë shumë më mirë në secilën fazë të futbollit. Fillimisht i uroj Remzifaik Selmanit më të mirën në karrierë dhe Mensah të kthehet sa më parë në fushë. Por kemi shumë lojtarë të tjerë. Jam vetëm një muaj këtu dhe duhet të shoh të gjithë lojtarët. Padyshim folëm me Selmanin, për atë që ndodh në fushë e stërvitje, që të presim që të kalojë koha dhe gjithçka do të ishte më e qartë.
Largime të tjera? Situatat janë kështu, jo vetëm në klubin tonë në kohë merkatoje. Ndoshta disa lojtarë flasin me klube të tjera pas ofertave, është normale, nuk mund ta ndryshoj këtë. Është më mirë kur fiton e luan mirë, nuk vlen vetëm për nesër, e kërkoj në çdo ndeshje.
Kam punuar vetëm një muaj dhe kam parë shumë gjëra të mira. Por të gjitha duhet të konkurrojmë çdo ditë, kjo është jeta, duhet të punojmë shumë dhe të mendojmë pozitivisht çdo ditë. Lojtarët duhet të jenë të hapur ndaj ideve të reja, nëse jeton për futbollin dhe mendon për të, mendoj se asgjë nuk është e pamundur. Ne punojmë shumë, por askush nuk dëgjon për këtë. Të gjithë do vijnë nesër në ndeshje që të shohin atë që bëjmë dhe ne duhet t’u tregojmë paraqitjen më të mirë të mundshme. Turi i tretë? Nëse fitojmë nesër, do të flasim për këtë pas ndeshjes”, – tha ai.
()