“SPAK punë serioze”/ Inceneratorët, rikthimi i Bashës dhe vendimet e Ramës, Erl Murati: PD në situatë të keqe. Ndryshime priten në qeveri
Kryeredaktori i gazetës “Shqiptare”, Erl Murati ka folur sot në rubrikën “Opinion” në News24 për aktualitetin politik në vendin tonë. Sa i takon zhvillimeve të fundit lidhur me hetimet për inceneratorin e Tiranës, ai tha se SPAK nga ana e tij ka bërë një punë serioze.
“SPAK besoj se po bën punën e tij, por sesa këto akuza do të përkthehen në dënime, mbetet për t’u parë sesi do të veprojë drejtësia. E rëndësishme është që SPAK të bëjë punë ne tij dhe të ngrejë akuzë serioze në gjykatë. Behet fjalë për mafie, dikur kanë qenë biznesmenë apo zyrtarë të nderuar, por sa kohë komplotojnë për të grabitur nga buxheti i shtetit qindra milionë euro, patjetër që jemi në nivelin e mafias. Për mua nuk ka rëndësi fati personal i njëri apo tjetrit, por që është hetuar me seriozitet nga SPAK, besoj se presioni ndërkombëtar kanë qenë vendimtar në hetimin e kësaj dosjeje. Presioni pozitiv i tyre e ka ndihmuar SPAK të punojë pa pasur frikë nga presionet. Mazhoranca nuk ka pasur vullnetin politike sepse mesa duket ka qenë vetë e përfshirë.
Besoj se fakti që SPAK ka goditur zyrtarë të lartë, a do shkojë më lart apo më djathtas nuk e di… Ahmetaj është peshku i madh sepse ka qenë numri dy i qeverisë. Nëse aty ka elementë të veprës penale të kryeministrit, patjetër që do t’i evidentojë”, tha ai.
Sakaq, për rikthimin e Lulzim Bashës në krye të PD, ai shprehet se nuk mendon se do të sjellë ndryshime dhe se e sheh me skepticizëm.
“Opozita është në një situatë të keqe sepse ka 10 vite që nuk ka pushtet dhe as nuk i afrohet pushtetit. Nga pikëpamja politike nuk mund ta analizoj shumë rikthimin e Bashës, sepse ai është forcë e tretë opozitare. Për gjendjen fatale që ndodhet sot PD, Berisha dhe Basha janë të dy fajtor. Këta janë njerëz që nuk mendojnë për të mirën e opozitës. Nëse Basha do t’ia dalë apo jo, e shoh me shumë skepticizëm”, tha Murati.
Po ashtu Murati u ndal edhe tek ndryshimet e fundit të bëra nga Edi Rama, ku largoi Damianin Gjiknurin si sekretar të PS.
“Në mbledhjen e Kongresit ndryshime mund të ndodhin sepse Rama na ka mësuar me ndryshime, por nuk besoj se do reformojë diçka në politikë. Nuk pati asnjë shpjegim pse u largua Gjiknuri nga ai post. Arsyeja formale ishte për riformim. Gjiknuri ishte sekretari i një partie që mori 53 bashki… pra teorikisht po të mos ketë gjëra prapa, duhej t’i jepte medalje”, tha ai.