Tue, Nov 26, 2024

Kukësi i ri ndryshon kontinent, tani vështrimi te tregu… afrikan

  • PublishedAugust 3, 2023

Afrika duket se është kthyer në tregun e preferuar të Kukësit, të paktën këtë sezon. Nëse më herët hidheshin sytë nga Amerika Latine, ku brazilianët zinin një vend të rëndësishëm te blutë, duket se kjo “modë” ka marrë fund.

Aktualisht në skuadër nuk ka asnjë futbollist nga vendi i sambas dhe gjasat janë që të jetë kështu deri në mbyllje të merkatos, edhe pse deri në fund gjithçka mund të ndodhë. Pak e nga pak vendin e tyre po e zënë futbollistët nga kontinenti afrikan, kjo ndoshta edhe për shkak të kostove më të pakta, ku dihet që Kukësi për momentin ka reduktuar ndjeshëm shpenzimet dhe është fokusuar më shumë te lojtarët e rinj.

AFRIKANËT – Zyrtarisht te Kukësi kanë firmosur tre lojtarë afrikanë, të cilët pritet të përbëjnë edhe boshtin e saj, sidomos në repartin e mesit të fushës. Të paktën, kjo është vënë re gjatë takimeve miqësore të zhvilluara deri më tani, me teknikun Hallaçi që i ka dhënë besim në fushë dhe që pret të bëjnë gjëra pozitive në skuadër. Për ta nisur me mesfushorin nga Mauritania, që është ndër të paktët e mbijetuar nga sezoni i kaluar, Abdou Mbarak. Një futbollist që ra në sy me sigurinë para mbrojtjes, rol që do ta mbajë edhe këtë sezon

. Për të vijuar me nigerianin, Daniel Momoh. Një zbulim kryekëput i Hallaçit, i cili e stërviti vitin e kaluar tek ekipi i 21-vjeçarëve dhe me të marrë drejtimin e ekipit të parë, e thirri menjëherë. Madje, i siguroi një vend në formacion, gjë që pritet ta ketë edhe këtë sezon. Në miqësoret e luajtura, ka përbërë dyshen e qendrës së mesit të fushës së bashku me Mbarak.

Për të vijuar me afrikanin e tretë, Gbolahan Salami Mustafa, një mesfushor me tipare sulmuese në krah. Pasi u mor për provë gjatë kësaj merkatoje, ka pasur paraqitje pozitive, duke marrë një rol titullari në fushë. Për këtë arsye pak ditë më parë klubi bëri zyrtarizimin e tij, duke i ofruar edhe një kontratë 2-vjeçare.

Kësaj tresheje ndoshta mund t’i shtohen të tjerë në ditët në vijim, por duket se për momentin “frenat” e mesfushës po i marrin në dorë afrikanët dhe besimi iu është dhënë nga vetë Hallaçi. Mesa duket, përfundimisht në Kukës kanë hequr dorë nga brazilianët dhe të huajt e vetëm do të vijnë nga Afrika.

AlbaniaWeb.net