5 arsye pse keni më shumë të ftohtë me kalimin e moshës
Në moshtë të re, një xhakete e lehtë në fund të dimrit, mjaftonte për të të mbajtur ngrohtë dhe komod. Por me kalimin e moshës kjo gjë mund të ndryshojë, dhe ju mund ta gjeni veten duke e rritur nxehtësinë në shtëpinë tuaj dhe duke u veshur me pulovra shtesë për të qëndruar ngrohtë.
Me kalimin e moshës temperatura e trupit tuaj bëhet më e ftohtë. Kështu që ndjeshmëria ndaj të ftohtit, shpesh është vetëm një fazë normale e procesit të plakjes. Por ndonjëherë mund të sinjalizojë edhe një problem më serioz shëndetësor.
Më poshtë, AgroWeb.org shpjegon shkaqet dhe ju njeh me disa këshilla që mund t’ju vijnë në ndihmë.
Qarkullimi i gjakut ngadalësohet
Me kalimin e moshës, enët e gjakut bëhen më pak fleksibël dhe nuk mund të funksionojnë në mënyrë optimale. Gjaku nuk qarkullon si më parë, prandaj trupi e ka më të vështirë të ruajë nxehtësinë. Në veçanti duart dhe këmbët e ftohta, mund të tregojnë se keni një problem të qarkullimit të gjakut.
Lëkura bëhet më e hollë
Kur mendoni për plakjen dhe lëkurën tuaj, me shumë mundësi ju vijnë në mendje rrudhat. Por ndodh që ndërsa plakemi, shtresat më të thella të lëkurës hollohen, duke e bërë më të vështirë që trupi të ruajë nxehtësinë.
Metabolizmi ngadalësohet
Edhe pse zakonisht një metabolizëm të ngadalësuar e lidhim me shtimin në peshë, ai mund të ndikojë gjithashtu edhe në mënyrën se si trupi juaj rregullon temperaturën. Kjo për shkak se metabolizmi është përgjegjës për shumë procese kimike që bëjnë trupin tuaj funksional. Kur metabolizmi ngadalësohet këto procese ndikohen, duke çuar në një ndjeshmëri të shtuar ndaj të ftohtit.
Ju keni një problem të rëndë shëndetësor
Disa çrregullime të zakonshme si sëmundjet e zemrës, sëmundjet e veshkave dhe anemia, mund të pengojnë rrjedhjen e gjakut dhe të ulin temperaturën e trupit. Përveç kësaj, problemet e tiroides si hipotiroidizmi, ndikojnë në metabolizmin tuaj dhe aftësinë për të rregulluar temperaturën e trupit.
Është një efekt anësor i mjekimit tuaj
Ndërsa rritemi, kemi më shumë gjasa të përballemi me disa probleme shëndetësore që kërkojnë mjekim. Dhe ndonjëherë, barnat që marrim janë arsyeja se përse ndjeni më shumë të ftohtë. Medikamentet që përdoren për të trajtuar presionin e lartë të gjakut, janë një nga shkaqet e zakonshme që mund të krijojnë këtë ndjesi. Kjo sepse mund të ulin rrjedhjen e gjakut në duar dhe këmbë.
Si të qëndroni ngrohtë
Edhe pse mund të mos jeni në gjendje të kontrolloni aftësinë e trupit tuaj për të ruajtur nxehtësinë, mund të provoni këto mënyra për të qëndruar ngrohtë:
- Vishuni trashë në ditët e ftohta ose qëndroni brenda në shtëpi.
- Kur flini vishni pizhame dhe përdorni mbulesa shtesë.
- Mbani një peshë të shëndetshme për t’u siguruar që keni mjaftueshëm yndyrë, e cila do t’ju ndihmojnë të qëndroni ngrohtë.
- Kufizoni alkoolin, i cili mund t’ju bëjë të humbni nxehtësinë e trupit.
- Sigurohni që dritatet të jenë të mirë izoluara, në mënyrë që të ruajnë nxehtësinë.
- Nëse jashtë është shi, vishni një pallto ose xhaketë të papërshkueshme nga uji dhe ndërroni menjëherë rrobat nëse ato janë lagur.
Kur duhet të shkoni tek mjeku
Ndërsa rritja e ndjeshmërisë ndaj të ftohtit është një pjesë e zakonshme e procesit të plakjes, merrni në konsideratë të vizitoheni nëse simptomat tuaja shfaqen papritur, përkeqësohen, nëse ndjeni të ftohtë më shumë se të tjerët, ose kur ndjeshmëria juaj ndaj të ftohtit dëmton cilësinë e jetës tuaj. /AgroWeb.org