“Kulla pas Operas, rezultat i politikës së Ramës”, Lubonja: Sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës, goditja më e madhe për qeverinë
Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në studion e News24 ka komentuar situatën në vend, duke thënë se projekti i kullës së re pas Teatrit të Operas dhe Baletit është një rezultat i politikës së kryeministrit Rama “një pallat një votë”.
Sa i përket hipotezave se në këtë projekt ka përfshirje edhe nga opozita, Lubonja u shpreh se në kohën kur opozita ishte më e fortë kishte kontroll më të fuqishëm për raste të tilla.
Ai komentoi po ashtu sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës, duke thënë se kjo është ” goditja më e madhe për qeverinë këtë vit pasi është krimi më i hetuar dhe flagrant”.
“Kur Berisha ishte në pushtet gjatë viteve ’90 ka qenë një biznesmen që bleu tokën mes Bankës dhe Muzeut Kombëtar. Ai bëri projektin e një kulle atje dhe që të bindte opinionin publik dhe erdhi te disa figura të njohura të opinionit, ku erdhi dhe tek unë e Edi Rama asokohe. Ajo që të dy i thamë ishte që si ka mundësi kjo kullë këtu që do na zërë kurorën e Tiranës. Nuk e firmosëm për këtë arsye. Për ironi të fatit kjo kullë quhet mali i Tiranës. Në vend që të shohim malet e Tiranës, ky na ndërton male që asokohe. E ka mbushur me kulla ky që nisi politikën një pallat një votë.
Këtu kemi një tradhti dhe korruptim të intelektualëve që është ndërtuar duke shkatërruar ato që i kanë mbetur këtij vendi.
Ajo që është për të ardhur keq është jo ky që i ka hipur këtij kali, por sa kohë do e mbështesin akoma ca njerëz brenda asaj partie. Historia ka treguar se oligarkët kanë paguar nga të dyja krahët kur kanë ndërtuar. Problemi është se nëse shohim kur kanë qenë 2-3 parti që kontrollonin njëra-tjetrën ka pasur pak më shumë kontroll. Lulzim Basha kur erdhi në bashki bëri një moratorium ku nuk pati ndërtime për ca kohë.
Gjithsesi ka pasur më shumë kontroll kur kishte opozitë aktive. Opozita mund të ketë lidhje aty ashtu si po thonë përmes një teze. Brenda këtij sistemi ka pasur më shumë kontroll.
Sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës është goditja më e madhe për qeverinë këtë vit pasi është krimi më i hetuar dhe është më flagranti. Protagonistët kryesorë janë arratisur, aq flagrant është. Po t’i kishte dalë Ramës nga kontrolli SPAK, ai do ishte i pari që do arrestohej”, u shpreh ai.