Wed, Nov 27, 2024

“Inceneratorët dhe “Mali i Tiranës”, faqe të së njëjtës monedhë!”, Basha: Lufta pa kompromis kundër korrupsionit, emergjencë kombëtare

  • PublishedAugust 10, 2023

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaron se afera e inceneratorëve dhe kulla e re që do të ndërtohet në qendër të Tiranës, janë dy faqe të së njëjtës monedhë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Basha thekson se PD ka bërë një betejë të gjatë për zbardhjen e kësaj afere.

Basha shtoi se lufta pa kompromis kundër korrupsionit është emergjencë kombëtare.

REAGIMI I BASHËS
Afera korruptive e Inceneratorëve, për zbardhjen e të cilës Partia Demokratike ka bërë një betejë të gjatë publike, tashmë e faktuar si e drejtë nga arrestimet dhe sekuestrimet e SPAK, dhe pastrimi i parave përmes ndërtimit të kullave me bilance të padeklaruara dhe të falsifikuara, siç është rasti i fundit në zemër të Tiranës i kallëzuar në SPAK nga grupi i këshilltarëve bashkiakë të PD, janë dy faqe të së njëjtës monedhë.
Me aferën e inceneratorëve janë grabitur miliona euro nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë. Këto para të korrupsionit qeveritar në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe krimin ekonomik më pas pastrohen nëpërmjet skemave të ndërtimit të kullave luksoze në mes të Tiranës.
Korrupsioni i’u vjedh qytetarëve të ardhmen, varfëron familjet shqiptare, vret konkurrencën e ndershme, pengon rritjen ekonomike, cënon demokracinë dhe besimin tek institucionet. Raportet ndërkombëtare evidentojnë qartë se korrupsioni në qeverinë Rama ka arritur nivelin e kapjes së shtetit, ku qeveritarët dhe klientela politike e përdorin shtetin për interesat e tyre private në dëm të qytetarëve.
Lufta pa kompromis kundër korrupsionit është emergjencë kombëtare, prandaj Partia Demokratike është e vendosur në mbështetjen tonë ndaj SPAK dhe e përkushtuar për miratimin dhe zbatimin e vetting-ut të politikanëve, sepse vetëm një politikë e pastër mund të sigurojë një ekonomi të fortë me mirëqenie dhe siguri për familjet shqiptare.

  • foto galeri

AlbaniaWeb.net