Edi Rama zgjat koncesionin kontrovers të Berishës, të blerë nga konsullja e nderit në Izmir
Shqiptarët do të duhet të paguajnë edhe disa milionë euro të tjera për koncesionin kontrovers të markimit të karburanteve, një kontratë e nënshkruar nga qeveria e djathtë e ish-kryeministrit Sali Berisha në vitin 2012, e kritikuar nga Partia Socialiste, në atë kohë në opozitë, dhe që duhej të përfundonte këtë vit.
Sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave që u publikua së fundmi në fletoren zyrtare, kohëzgjatja e koncesionit rritet nga dhjetë në njëmbëdhjetë vjet. Qeveria e kryeministrit Edi Rama nuk ka dhënë shpjegime publike se mbi çfarë arsyetimi ka vendosur të zgjasë kontratën e koncesionit. Si rregull, koncesione të tilla duhej t’i trasferoheshin nën pronësi shtetit shqiptar në përfundim të afatit.
Sipas Ministrisë së Financave objekti i kontratës koncesionare/PPP është kryerja nga koncesionari e shërbimit të markimit dhe të monitorimit të karburanteve për qëllim të shmangies së evazionit fiskal.
Ky shërbim duhet të kryhet mbi produktet e markimit dhe monitorimit, të cilat sipas kontratës, janë produktet e bardha (gazoil dhe benzen), produktet e zeza (solar dhe mazut), nafta bruto, lëndët djegëse dhe produktet e ndërmjetme.
Procesi i markimit të naftës bruto nuk është realizuar pasi është kundërshtuar nga shoqëritë e nxjerrjes së naftës bruto në vend, të cilat pretendojnë se nafta e tyre nuk përmbush kushtet e kërkuara të viskozitetit për të mundësuar markimin.
Ministria e Financave thekson në raportin vjetor për PPP-të vitit 2021, se vlera e investimit të koncesionit prej 444.9 milionë lekë nuk është realizuar plotësisht, për shkak të mosrealizimit ende të markimit të naftës bruto dhe mosmonitorimit të produktit solar/mazut.
Një biznes fitimprurës
Të dhënat e kompanisë GFI Albania të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe të analizuara nga BIRN, tregojnë se shqiptarët kanë paguar në total 3.7 miliardë lekë përgjatë periudhës 2014-2022 me të ardhura të rritura në 430 milionë lekë në vitin 2022, viti i fundit i raportuar. Kompania ka deklaruar fitime neto prej 652 milionë lekësh përgjatë periudhës së koncesionit.
Kompania u krijua me një kapital aksioner prej vetëm 1 mijë dollarësh ndërsa ishte në gjendje të siguronte përgjatë viteve fitime shumë të mëdha në raport me kapitalin aksioner. Në vitin 2022, kompania kishte një total asetesh prej 338 milionë lekësh ndërsa të ardhurat në raport me asetet ishin 127 për qind. Sa për krahasim, kthimi mbi asetet në sistemin bankar është 1.5 për qind.
Koncesioni teorikisht shërben si ndihmë për administratën doganore për të kontrolluar qarkullimin e hidrokarbureve në tregun e brendshëm. Kompania vendos një lëndë kimike identifikuese në karburante kur ato hyjnë në Shqipëri nga importi dhe pastaj kryen analiza në pikat e karburantit për të raportuar te doganat nëse në treg ka apo jo karburant të pamarkuar.
Konsulle nderi në Izmir, filantrope tek Flamurtari
Socialistët e shënjuan koncesionin e markimit të karburanteve në vijimësi si klientelë e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe si taksë mbi xhepat e konsumatorit pa kurrfarë vlere.
Kontroversialiteti i koncesionit duket se nuk ndaloi shtetasen turke Nerve Korkmaz, e cila shfaqet në krah të Sinan Idrizit, financier i Flamurtarit të Vlorës, të blejë kuotat e kompanisë mëmë të koncesionit, e cila është e regjistruar në parajsë fiskale.
Biznesmeni shqiptar Sinan Idrizi, i njohur si partneri i përzgjedhur nga qeveria shqiptare për pronësinë e kompanisë ajrore, Air Albania, u akuzua në vitin 2020 për mashtrim nga Adnan Polat, një nga biznesmenët më të famshëm turq dhe zëvendëspresident i skuadrës së futbollit Gallatasarajt, në lidhje me marrjen e një shume prej 3.2 milionë eurosh në vitin 2017 nën premtimin e blerjes së kompanisë koncesionare GFI Albania.
Idrizi deklaroi në atë kohë se pala tjetër ‘nuk kishtë përmbushur detyrimet financiare.”
Në shkurt 2022, në regjistrin e përfituesve fundorë të kompanisë GFI Albania, largohet shtetasi Ismail Mulleti dhe regjistrohet si përfitues fundor Nerve Korkmaz, e cila ka qenë konsulle nderi e Shqipërisë në Izmir të Turqisë.
Korkmaz, e cila është antare bordi në kompaninë TRK Group, shfaqet në krah të në krah të kryeministrit Edi Rama dhe Idrizit në një postim në Facebook të skuadrës së futbollit Flamurtari. [Link]
Nëse marrim parasysh rezultatin financiar të viteve të shkuara, shtimi me një vit i kontratës së koncesionit do t’i kushtojë konsumatorëve shqiptarë së paku 4 milionë euro.