FOTO/ Parisi në kaos, shpërthen edhe çështje ‘Neymar”. L’Equipe zbardh “listën e zezë” të Al Khelaifit
Kaos total në Paris. Pas Mbappe, në kryeqytetin francez shpërthen edhe çështja “Neymar”. Me brazilianin diskutimi është ndryshe pasi janë drejtuesit e klubit ata që nuk e dëshirojnë në skuadër. Sipas L’Equipe: PSG ia ka bërë të qartë Neymar-it se nuk bën pjesë në planet e klubit, për këtë arsye bën mirë të largohet gjatë merkatos së verës. Neymar nuk e ka me nxitim të largohet nga Parisi, fundja përfiton 36 milionë euro në vit dhe është nën kontratë deri në 2025. Për momentin, për Neymar ka interesim konkret vetëm nga Arabia Saudite, por braziliani nuk e preferon si opsion.
Dëshira e tij është të rikthehet te Barcelona, por kjo është një pistë e ndërlikuar për shkak të vështirësive ekonomike që ka klubi blaugrana, shkruan Sport. Të njëjtin ultimatum klubi i PSG i ka dhënë edhe Marco Verrattit, edhe mesfushori italian nuk bën pjesë në planet e Luis Enriques për sezonin e ri. Jashtë projektit janë edhe Renato Sanchez, Hugo Ekitike dhe Juan Bernat.
Kjo e enjte në Paris është dita e Ousmane Dembele. Sulmuesi francez ka kryer vizitat mjekësore ndërsa do të firmos një kontratë 5-vjeçare deri në 2028.
()