Moderatorja e njohur zbulon sekretin si mban larg publikut jetën private
Moderatorja e njohur e sportit, Hygerta Sako, nuk është përfshirë pothuajse asnjëherë në skupe apo thashetheme për jetën e saj private.
Sako është kujdesur mjaft mirë që jeta personale mos të jetë shumë publike. Madje as paparacët nuk kanë arritur që të kapin ndonjë fotografi ‘mat’.
Hygerta ka zbuluar së fundmi se ka një arsye, sipas saj, që në publik nuk është kurrë pjesë e thashethemeve.
E ftuar pasditen e djeshme në “Pushime on Top”, moderatorja e njohur foli edhe për këtë “guaskë” në të cilën ajo ruan me fanatizëm jetën private. E pyetur si është e mundur që nuk është bërë kurrë pjesë e lajmeve rozë, ajo tha: “S’është se ka shumë të reja për jetën time private, prandaj…”.
“Jam treguar shumë e kujdesshme, jam tip i kujdesshëm, jam e rezervuar. Nuk jam nga ato tipat që çfarëdolloj gjëje të ndodhë ose diçka e re, të thërras paparacët ose ndonjë shoqe/shok në portal. Prandaj nuk dihet asgjë dhe kështu do të vazhdojë…” – thotë me bindje Hygerta.
Në fakt, ajo shton se kështu ka zgjedhur të jetë: “Mua kështu më shijon. Unë kam pothuajse 30 vjet në këtë biznes dhe gjithmonë kam vuajtur këtë pjesën e privatësisë. Kur shkon në një restorant, do të të shohin, shkon në një bar, kudo që të jesh do të të njohin, do të të flasin, do të të shohin me kë je, çfarë po bën, kështu që kjo është e vazhdueshme…”.