Droga në Pogradec/ “Kartelet janë përhapur në çdo qelizë të shtetit”, Tedi Blushi: Trafikantët janë punonjës të Ministrisë së Bujqësisë
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi përmes një postimi në Facebook është shprehur se sot në Pogradec janë ndaluar në flagrancë dy punonjës të Ministrisë së Bujqësisë për trafik ndërkombëtar narkotikësh.
Blushi u shpreh se ky është një tjetër skandal pas atij të kanabisit në repartin ushtarak të Zall Herrit.
Sipas tij këto ngjarje provojnë se kartelet e drogës janë përhapur në çdo qelizë të shtetit dhe se ky trafik i mirëfilltë qeveritar, nuk mund të zhvillohet pa dijeninë dhe bekimin e Edi Ramës dhe ministrave të tij.
Postimi i plotë:
PAS USHTARËVE TË PELESHIT EDHE VARTËSIT E FRIDA KRIFCËS KAPEN ME DROGË!
Sot në Pogradec janë ndaluar në flagrancë dy punonjës lokalë të Ministrisë së Bujqësisë për trafik ndërkombëtar narkotikësh.
Arrestimi i tyre (falë ndihmës së shërbimeve partnere) vjen vetëm pak ditë pas zbulimit të serave të kanabisit në repartin special të Forcave të Armatosura të mbjella nga vetë ushtarët!
Këto skandale të njëpasnjëshme provojnë se kartelet e drogës janë përhapur në çdo qelizë të shtetit dhe se ky trafik i mirëfilltë qeveritar, nuk mund të zhvillohet pa dijeninë dhe bekimin e Edi Ramës dhe ministrave të tij.
Narko-Qeveria nuk është një fantazi!
Inkriminimi i administratës publike, në funksion të blerjes së zgjedhjeve me paratë e drogës, është fakt që vërtetohet çdo ditë!
Kjo është fytyra e së keqes që duhet shkulur me rrënjë!
Në foto: Sasia e drogës që ju kap sot dy vartësve të ministres së Bujqësisë, Frida Krifca që do trafikohej drejt Maqedonisë së Veriut.