Goditen 3 raste të ndërtimeve të paligjshme në Sarandë dhe Ksamil, 3 të proceduar
Goditen 3 raste të ndërtimeve të paligjshme në Sarandë dhe Ksamil. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se në kuadër të operacioni “Coastline” u proceduan në gjendje të lirë shtetasit: Admir Beqiri, Romario Bajlos si dhe Asim Toro.
NJOFTIMI I POLICISE
Procedohen penalisht 3 shtetasit që ndërtuan pa lejen e organeve kompetente. Si rezultat i kontrolleve dhe i verifikimeve në terren, në vijim të operacionit “Coastline”, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e paligjshmërive në fushën e ndërtimeve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë evidentuar 3 raste të tjera në këtë fushë, për të cilat u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. B., 39 vjeç, banues në Sarandë, R. B., 22 vjeç, banues në Korçë dhe A. T., 28 vjeç, banues në Ksamil.
Shtetasit A. B. dhe A. T. u kapën teksa kryenin punime ndërtimi, pa leje, në qytetin e Sarandës, ndërsa shtetasi R. B. u kap teksa kryente punime ndërtimi, pa leje, në zonën bregdetare, në Ksamil. Kontrollet dhe verifikimet vijojnë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.