“Kroi i madh”/ Sekuestrohen 11 kg kanabis e bimë në proces tharjeje, arrestohen babë e bir në Krujë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Kroi i Madh”, sekuestrohen rreth 11 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe bimë narkotike në proces tharjeje.
Kishin përshtatur një ambient afër banesës së tyre, në fshatin Kroi i Madh, për tharjen e bimëve narkotike që kultivonin në këtë fshat, vihen në pranga 2 shtetas (babë e bir).
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, kapjen në flagrancë të shtetasve që kryejnë vepra penale, kontrolleve të ushtruara për parandalimin e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara për 2 shtetas që prodhonin lëndë narkotike kanabis, në banesën e tyre, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kroi i Madh”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve N. K., 43 vjeç dhe B. K., 22 vjeç (babë e bir), të dy banues në fshatin Kroi i Madh, Krujë.
Këta 2 shtetas kishin përshtatur një ambient në afërsi të banesës së tyre, në fshatin Kroi i Madh, për përpunimin (tharjen) e bimëve narkotike. Gjatë kontrollit në këtë ambient, shërbimet e Policisë gjetën rreth 11 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe disa bimë në proces tharje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 2 celularë.
Nga verifikimet e kryera dyshohet se 2 të arrestuarit janë autorë edhe të kultivimit të rreth 320 bimëve narkotike, të gjetura gjatë kontrolleve të ushtruara nga Policia, gjatë 3 javëve të fundit, në fshatin Kroi i Madh.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.