Shpërthen gazi në minierë, plagosen tre minatorë në Bulqizë
Tre minatorë pësuan djegie të shkallës së tretë pas shpërthimit të gazit në nivelin e 17 të pusit të minierës në Bulqizë. Ngjarja ndodhi rreth orës 09.00 të së hënës, ndërsa tre minatorët e plagosur u identifikuan si Rrahim Karaj, Allan Cakalli dhe Trifon Snalla.
BIRN mësoi se minatorët janë dërguar menjëherë pranë spitalit të Bulqizës, ku dhe kanë marrë edhe ndihmën e parë mjekësore. Mjekët konstatuan se bëhet fjalë për djegie të shkallës së tretë dhe i kanë nisur ata drejt Tiranës për ndihmë të specializuar.
Policia në një njoftimi paraprak thotë se ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një rrjedhje gazi. “Dyshohet se ka shpërthyer një sasi gazi dhe për pasojë kanë pësuar djegie trupore tre punëtorë që ndodheshin duke punuar në këtë nivel konkretisht, shtetasit, T.S, Rr.K,dhe A.C”, thuhet në njoftim.
Po sipas policisë, thuhet se menjëherë pas aksidentit është bërë evakuimi i të gjithë punëtorëve nga fronti i punës dhe rrjedhja e gazit është vënë nën kontroll.
Ndërkohë po sipas njoftimit paraprak të policisë, mësohet se grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe në bashkëpunim me prokurorinë, po punohet për zbardhjen e shkaqeve të plota të kësaj ngjarje.
Numri i aksidenteve të rëndë në punë në Shqipëri mbetet i lartë. Mesatarisht çdo vit 32 persona humbin jetën në aksidente të kësaj natyre sipas raporteve të 4 viteve të fundit të Inspektoratit të Punës, kryesisht në ndërtim dhe miniera. BIRN ka gjetur në investigime të mëparshme se aksidentet në punë janë të nën raportuara dhe vetëm pak prej kompanive që gjenden në shkelje ndëshkohen, ndërsa faji u mbetet viktimave.