Anglezë, francezë dhe sheikët sauditë në ndjekje të Uzunit, sulmuesi mund të bëjë gati valixhet
Myrto Uzuni do të nisë ndaj këtë të hënë ndaj Atletiko Madrid sezonin e tij të ri sportiv në La Liga, një kthim në elitë për sulmuesin shqiptar në rolin e protagonistit, pasi shkëlqeu në La Liga 2 me Granadën. Por karriera e tij, çuditërisht, mund ta shohë të zhvendoset në një destinacion tjetër shumë më shpejt se sa mendohej.
Paraqitjet e sulmuesit shqiptar kanë tërhequr vëmendjen e shumë klubeve dhe tashmë mediat spanjolle pranojnë e ka interesim konkret nga skuadra të tjera për firmën e tij. Klauzola prej 25 milionë eurosh që i ka vendosur Granada bën të qartë se nuk do të jetë e thjeshtë që të largohet, por për disa prej këtyre klubeve, shifra të tilla nuk janë problem.
Sauthempton i rënë nga Premier Liga kërkon kthimin e shpejtë në elitë dhe sheh Uzunin si një emër i cili do t’i garantojë gola për të arritur këtë qëllim, ashtu siç kishte bërë dy vite më parë Broja duke e ndihmuar të qëndronte në elitë. Ndërkohë, nga Liga 1 franceze është klubi i Reims që interesohet për bomberin shqiptar.
Ndërkaq, ka edhe dy klube nga Arabia Saudite që kanë shfaqur interes për sulmuesin, duke pasur parasysh aftësinë e tij para portës. Nuk bëhet e ditur se cilët janë klubet në fjalë, por shifra 25 milionë euro për klubet saudite nuk përbën problem, duke llogaritur shifrat monstruoze që po shpenzojnë për futbollistë.
Tani mbetet të shihet nëse Granada do të sakrifikojë lojtarin për të mbushur arkat, apo nëse vetë Uzuni do të preferojë një destinacion të tillë për të ardhmen e tij, në një moment kur ai dukej gati për t’u afirmuar në një nga kampionatet më të rëndësishëm në borë.