Wed, Nov 27, 2024

Ndërtimet pa leje në Ksamil, Balla vizitë në Sarandë: Të ruajmë “Maldivet e Europës”

  • PublishedAugust 15, 2023

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka zhvilluar sot një takim me strukturat e pushtetit vendor në Sarandë, ku deklaroi se fenomeni i krimeve mjedisore duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Balla ka theksuar se Saranda e cilësuar si “Maldivet e Europës” duhet mbrojtur si dhe ka kërkuar ndërshkim ekzemplar për këdo i cili ‘vret’ mjedisin.

“Jam sot në Sarandë edhe me shqetësimin që vjen nga fakti që Policia e Shtetit ka identifikuar para dy ditësh, disa ndërtime pa leje, pikërisht në një prej zonave më të bukura të turizmit shqiptar si Ksamili. Dhe dua që Kryetarit të bashkisë dhe të gjitha strukturave të tjera ligjzbatuese, t’i kujtoj se për ne, krimi mjedisor është i pa tolerueshëm. Dhe duhet të bëjmë gjithçka në ditët, javët dhe muajt në vijim, për të rritur prezencën tonë dhe kontrollin ndaj territorit. Është e vërtetë, ne jemi shumë krenarë për faktin që Saranda, Ksamili dhe të gjitha destinacionet e tjera turistike, që mbulon bashkia Sarandë janë sot në faqet e gazetave dhe mediave kryesore botërore, me emërtesat më të bukura si, “Karaibet e Europës”, apo “Maldivet e Europës”. Por ne duhet të bëjmë ç’është e mundur që këtë pasuri që na ka falur Zoti dhe natyra, ne të bëjmë ç’është e mundur për t’i mbrojtur ato. Dhe prandaj është shumë e rëndësishme të rrisim prezencën dhe kontrollin tonë në territor”.

Në fjalën e tij ministri Balla nuk la pa përmendur edhe fenomenin e zjarrvënies ku ka theksuar se kjo përbën një vepër penale dhe dënohet deri në 15 vite burg. Gjithashtu Balla ka kërkuar bashkëpunim dhe koordinim më të mirë mes institucioneve përkatëse.

“Nënprefekti sëbashku me Prefektin, do duhet të drejtojnë punën për të gjitha masat që duhen ndërmarrë në luftën kundër fenomenit të zjarrvënies. Vitet e kaluara kemi pasur në Sarandë shumë raste të cilat kanë shkatërruar pasuri të rëndësishme pyjore të Sarandës. Dhe prandaj duhet të jemi shumë të vëmendshëm, ndërsa presim në ditët dhe javët në vijim një rritje të temperaturave, kjo shoqërohet shpeshherë edhe më rritje të numrit të zjarreve.
Këtë vit i kemi dalë përpara me një rol të shtuar të Policisë së Shtetit për të identifikuar gjithkënd që është i përfshirë në zjarrvënie, qoftë me dashje apo pa dashje. Dua të kujtoj këtu që Kodi Penal në Republikën e Shqipërisë përcakton dënim deri në 15 vite burg për këdo që përfshihet në zjarrvënie. Ne na duhet një koordinim edhe më i mirë mes bashkisë, institucionit të Prefektit, Policisë së Shtetit dhe, natyrshëm, edhe me institucionin e Prokurorisë për t’i dalë përpara këtij fenomeni”.

  • foto galeri
  • foto galeri

Gjithashtu Ministri i Brendshëm Balla ndërsa prezantoi dhe Nënprefektin e ri të Sarandës, Kristo Kiço nënvizoi edhe rëndësinë që ka roli dhe institucioni i Prefektit dhe Nënprefektit në territor si dhe ka vlerësuar faktin që deri më tani ky sezon turistik ka shkuar mirë duke thyer rekord.

“Prefekti dhe Nënprefekti kanë një peshë të rëndësishme edhe në disa prej detyrave që ne kemi përgjatë zhvillimit të sezonit turistik, i cili duhet theksuar se viti 2023 do të shënojë rekordin tonë historik të turistëve që kanë vizituar Sarandën dhe gjithë Shqipërinë. Por roli ynë, i të gjithëve që jemi këtu, dhe të gjitha institucioneve tona të varësisë, është të garantojmë pushime të qeta, të sigurta. Konstatoj me shumë pozitivitet faktin që deri tani në Sarandë sezoni turistik ka shkuar mirë dhe roli ynë është që ta përmbyllim këtë sezon turistik pa asnjë incident dhe me rezultate sa më të mira.

Balla është shprehur se roli i institucionit të prefektit do të ketë tashmë një peshë më të madhe, pasi do të shkojnë në Kuvend ndryshimet ligjore për këtë qëllim.

“Ne shumë shpejt do të shkojmë në Kuvendin e Shqipërisë për të bërë disa ndryshime rrënjësore në ligjin për prefektët, me qëllim për t’i dhënë këtij institucioni, një peshë edhe më të rëndësishme. Por natyrshëm të mos harrojmë edhe kuadrin ekzistues që ka, qoftë prefekti qoftë nënprefekti, si përfaqësuesit vendorë të qeverisë dhe direkt të Kryeministrit. Ka një rol të rëndësishëm në koordinimin mes të gjitha strukturave vendore dhe atyre ligjzbatuese”.

AlbaniaWeb.net