Wed, Nov 27, 2024

Pesë net spektakël, starton sot Festa e Birrës në Korçë, kryeson birra ‘Korça’

  • PublishedAugust 16, 2023

Festa e Birrës në Korçë është eventi më i madh festiv në Shqipëri. Këtë vit ajo pritet të startojë sot dhe do zgjasë 5 net, në të cilat numri i vizitorëve pritet të jetë mbi 100 000 vizitorë, vendas dhe të huaj. Në festë, ashtu siç është bërë tashmë traditë, do të kryesojë birra e parë shqiptare, birra ‘Korça’, e cila do të jetë në çdo tryezë të festës.

Siç është bërë e ditur dhe nga organizatorët, festa do të përqendrohet te Terminali dhe Shtëpia e Birrës, ndërkohë që stafi i Birra ‘Korça’ është në përgatitjet e fundit për festën, duke premtuar kështu shërbim maksimal për të gjithë vizitorët. Përveç birrës me shije dhe ushqimit të freskët, në Shtëpinë e Birrës ‘Korça’ do të ketë festë me muzikë live.

Edhe këtë vit festa e birrës do shoqërohet me një program muzikor të shkëlqyer, me emrat më të njohura të muzikës shqiptare dhe jo vetëm, si Elvana Gjata, Ylli Limani, vëllezërit Prifti, ‘No Mercy’, ‘La bouche’ si dhe yjet e muzikës greke Despina Vandi si dhe Keti Garbi. Festa e birrës në Korçë u themelua në vitin 2007, si një iniciativë e Bashkisë Korçë. Festivali është nderuar me çmimin e Turizmit nga Ministria e Kulturës në vitin 2010, për shkak të influencës që pati në rritjen e numrit të turistëve në rajon. Festa e birrës në Korçë, jo vetëm është një segment i rëndësishëm përsa i përket tërheqjes së vizitorëve në rajon, por nga viti në vit ka promovuar dhe përforcuar imazhin turistik të rajonit.

Gazetarja Lorena Kodra në një komunikim për News24, ndau detaje nga zhvillimi i festës së Birrës në Korçë. Kodra u shpreh se qytetarët dhe turistët do mund të shijojnë ‘Birra Korça’ dhe gatimet tradicionale në ‘shtëpinë e Birra Korçës’.

“Për 5 netë me radhë do të shndërrohet në epiqendrën e festës në vend. Do të festohet ‘Festa e Birrës’ deri më datë 20 gusht. Birra Korça për 15 vite me radhë do të shijohet nga çdo qytetar dhe turistë që do jetë pjesëmarrës në Korçë. Përveç terminalit, Birra ‘Korça’ do gjendet edhe në tjetër kënd të veçantë si ‘Shtëpia e Birrës Korça’, ku do të shijojë dhe gatimet tradicionale. Duhet thënë se festa vjen në edicionin e saj të 17-të dhe po kthehet në një nga festat më të mëdha në ven. Sakaq priten të mbërrijnë mbi 100 mijë vizitorë dhe ky numër ka qenë në rritje”, raporti live Lorena Kodra për News24.

()

AlbaniaWeb.net