Opozita e përçarë edhe në Kukës? Pas thirrjeve të PD-së zyrtare për bashkim, Berisha bën gati Primaret për të zgjedhur kandidatin e tij
Teksa na ndan 1 muaj nga zgjedhjet për kryetar të Bashkisë së Kukësit, demokratët janë ende të përçarë.
Siç parashikojnë zhvillimet në dy kampet e PD, demokratët do të hyjnë në zgjedhjet e 24 shtatorit me dy kandidatë. Me gjithë thirrjet e ardhur nga PD Kukës dhe eksponentë të ndryshëm për një kandidat të përbashkët, grupimi i Berishës bëhet gati për të zgjedhur përfaqësuesin e tij.
Gazetari Osman Stafa raportoi për “” se pikërisht për këtë çështje të mërkurën do të ketë një mbledhje për miratimin e kandidaturave që do t’i nënshtrohen Primareve si dhe për datën kur do të mbahen.
“Ditën e mërkurë në ora 13:00 në seli zhvillohet mbledhja e kryesisë së PDSH me rend dite:
1- Miratim i kandidaturave të PD që do t’i nënshtrohen “Primareve” për kryetar të Bashkisë Kukës…
2- Përcaktim i datës së “Primareve””, thuhet në njoftim.
Dega e Partisë Demokratike në Kukës ka propozuar që opozita të dalë me kandidat të përbashkët në zgjedhjet që do mbahen për herë të dytë për kryebashkiakun e qytetit verilindor në 24 shtator.
Megjithatë kreu i Rithemelimit, Sali Berisha, edhe pse deklaroi se ende nuk kanë një emër, u shpreh kategorikisht kundër një kandidati për gjithë opozitën, madje shtoi se më lehtë bën aleancë me Taulant Ballën, se me Partinë Demokratike zyrtare.
Sipas procesverbalëve të grupseksioneve të Rithemelimit është propozuar për kandidat për kryetar bashkie, kreu i degës së Partisë Demokratike zyrtare në Kukës, Arif Rexhmati.