Tue, Nov 26, 2024

Merr fund pritja, Manaj firmos në Turqi, një mundësi e mirë për t’u rikthyer në Kombëtare

  • PublishedAugust 22, 2023

Merr fund pritja e Rey Manajt për një skuadër të re. Pas ndarjes me Watford në fillim të këtij viti, sulmuesi i Kombëtares, i privuar edhe nga një dëmtim, ishte në kërkim të një ekipi për të vijuar karrierën e tij dhe pas bisedimeve, gjithçka është zyrtarizuar.

Manaj ka firmosur një kontratë dyvjeçare me Sivaspor, skuadër që luan në elitën e futbollit turk dhe ka ambicie. Në bazë të performancës, futbollisti lushnjar mund ta zgjasë kontratën edhe për një vit tjetër.

Si pasojë e problemeve fizike, Manaj humbi edhe mundësinë të grumbullohej me ekipin kombëtar dhe tashmë është mundësi që ai të rikthehet me fanellën kuqezi, të paktën për sfidat e tetorit, pasi në shtator është e pamundur.

Kështu, pas Italisë, Spanjës dhe Anglisë, sulmuesi shqiptar do të provojë edhe kampionatin turk, ku kërkon të rikthehet protagonist. Manaj kishte interes edhe nga Italia, me Sampdorian dhe Frosinonen që kishin studiuar pistën për të firmosur me 26-vjeçarin. Megjithatë, Turqia duket të jetë destinacioni që ka joshur ish-sulmuesin e Interit dhe Barcelonës.

()

AlbaniaWeb.net