Bavarezët vihen në lëvizje për goditjen e bujshme, Verrati i vë “kapak” Bajernit të frikshëm
Deklarata e ditës së djeshme nga shefi i Bajernit, Jan-Kristian Dresen, ka gjetur terren në sajë të raportimeve nga prestigjiozja angleze “DailyMail”, e cila korrespondon me alternativat rreth profilit të numrit 6. Marko Verrati është vendosur në fokus dhe shumë shpejt pritet të kenë negociata zyrtare mes klubeve, ndonëse në të gjendet pengesa nga shumë drejtime.
Trajneri i rekordmenëve gjermanë, Tomas Tuhel, e ka cekur shpesh në prononcimet për media se në kontingjentin aktual mungon karakteristika e futbollistit, i cili bën lidhjen mes mbrojtjes dhe mesfushës. Deklan Rajs u lakua në ambientet e Bajernit, megjithatë futbollisti në fjalë nuk mori aprovimin e pjesës tjetër për të nisur manovrën në realizimin e operacionit. Si përfundim “regjisori” i “tre luanëve” kaloi nga Uest Hemi në drejtim të Arsenalit.
PISTA “VERRATI”- “DailyMail” e bën fakt të kryer se kampionët e Bundesligës i janë “qepur” pas Markos dhe ky detaj favorizohet nga prishja e marrëdhënies mes trajnerit Luis Enrike dhe lojtarit. “L’Equipe” thekson se binomi i mësipërm e ka shkëputur komunikimin dhe 30-vjeçari pritet të largohet në këtë afat kalimtar transferimesh. Madje ai nuk është përfshirë në asnjë nga dy takimet e para me Parisin në Ligë 1, tregues se aventura në kryeqytetin francez ka përfunduar.
RIVALËT- Nga Franca thuhet se futbollisti me numër 6 në “Parc des Princes” ka marrëveshje personale me klubin e Al-Ahlit, megjithatë pala arabike nuk ka njoftuar ndonjë detaj në lidhje me këtë operacion. Mançester Junajtid është një tjetër rival, i cili pritet të “luftojë” deri në fund mbi hipotekimin e lojtarit nga radha e kombëtares “axurre”. Trajneri Erik ten Hag i pëlqen tej mase cilësitë poseduese të Verratit e ku ai do t’u jepte fund telasheve përpara mbrojtjes, duke u pozicionuar pas shpatullave të “regjisorëve” Kasemiro-Fernandesh.
KOSTOJA- Kampionit të Europës me përfaqësuesen e Italisë në “Euro 2020” i skadon kontrata me PSG-në në verën e vitit 2026, çka do të thotë se klubet e interesuara duhet të gërmojnë xhepat në sigurimin e shtatshkurtrit italian. Mediumi ekspert i “transfermarkt” e vlerëson në kuotën e 40 milionë eurove Verratin, por limiti i parisienëve gjen qasje në 61 milionë euro, kuotë jo lehtë “e përtypshme”, krahas moshës dhe rendimentit në sezonin e fundit./ Panoramasport