Goditi me kosore vëllain dhe mbesën e tij, arrestohet 59-vjeçari në Dukat
Policia e Vlorës ka arrestuar një 59-vjeçar, i cili goditi me mjet prerës (kosore) vëllai e tij 74-vjeçar dhe mbesën 47-vjeçe.
Njoftimi i policisë:
DVP Vlorë/Vihen në pranga 4 shtetas, procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale.
Në vijim të veprimeve procedurale të kryera për aksidentin e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në aksin rrugor “Sarandë-Ksamil”, në vendin e quajtur “Hidrovori”, ku si pasojë, humbën jetën 2 shtetas italianë, specialistët e Seksionit të Policisë Rrugore arrestuan shtetasin E. R., 17 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Po këta specialistë arrestuan në flagrancë shtetasin B. K., 58 vjeç, pasi pasditen e djeshme, në afërsi të fshatit Brataj, automjeti me drejtues 58-vjeçarin, ka përplasur automjetin me drejtuese shtetasen F. G., 37 vjeçe, e cila si pasojë po merr asistencë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum arrestuan në flagrancë shtetasin I. H., 59 vjeç, banues në Dukat, Vlorë, pasi pasditen e djeshme, ka dëmtuar me mjet prerës (kosore), vëllanë e tij, shtetasin N. H., 74 vjeç, banues në Dukat, dhe vajzën e 74-vjeçarit, shtetasen A. B., 47 vjeçe, të cilët po marrin asistencë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jeten.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan shtetasin V. R., 53 vjeç, pasi dyshohet se ka vjedhur një shumë parash, në banesën e një 59-vjeçari.
Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Q. K., 60 vjeç, banues në Vlorë, pasi për shkak të kryerjes së disa punimeve me linjën e ujësjellësit në banesën e tij, ka rrjedhur ujë në sipërfaqen e disa zyrave në afërsi të banesës së tij, dhe si pasojë janë dëmtuar disa kompjuterë.
—
Si rezultat i verifikimeve të kryera për një video të shfaqur në një portal, në të cilën ishin filmuar disa të mitura që dhunonin dhe bullizonin një bashkëmoshatare të tyre, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë kanë identifikuar të miturat që shfaqen në këtë video, konkretisht 2 shtetase 14 vjeçe dhe një shtetase 15 vjeçe. Veprimet procedurale të kryera për këtë rast janë bazuar në udhëzimin nr. 15, të datës 30.10.2020, të Prokurorit të Përgjithshëm, dhe janë kryer në praninë e prindërve të të miturave, psikologes dhe avokatit.