Eshtrat e Qazim Mulletit, nga Roma do të vijnë në atdhe
Shoqata ‘Tirona Intellectum’ njofton se eshtrat e ish prefektit të Tiranës, Qazim Mulletit do të kthehen në Shqipëri.
Ceremonia e rivarrimit të tij do të mbahet në 28 gusht në Shish-Tufinë.
“Ish-Prefekti i Tiranës, familja e të cilit pësoi një persekutim të egër nga regjimi komunist dhe mbi të cilin u hodh aq baltë nga histografia komuniste, dhe që 10 vjet pas vitit 1965 kur vdiq në Itali, eshtrat i tij dergjeshin në një magazinë në një qytezë në periferi të Romës, më në fund do prehet në Tiranën e tij të dashur!”, shkruhet në postimin në mediet sociale.
Njoftimi i plotë:
Të dashur motra dhe vëllezër të komunitetit tirons
Qazim Mulleti do të prehet më në fund në dheun që e lindi dhe rriti, në Tiranë.
Qyteti për të cilin dha gjithë kontributin e tij intelektual e shoqëror deri kur hijet e regjimit komunist e detyruan të largohet nga vendi, do të mirëpresë të hënën, më 28 gusht 2023, eshtrat e birit të vet, ish prefektit e intelektualit të shquar Qazim Mulleti.
Në orën 13:00 të ditës së hënë në xhaminë e “Kokonozit”, Pazari i Ri do të falet namazi i xhenazes së të ndjerit.
Është një privilegj për mua që të jem në faljen e namazit të xhenazes së Qazim Mulletit.
Më vjen mirë që familjarët dhe shoqatat tiranase arritën realizojnë amanetin e kthimit të eshtrave të Qazimit në Tiranë.
Kush ishte Qazim Mulleti
Qazim Mulleti lindi në lagjen “Sulejman Pasha” në Tiranë, më 20 dhjetor 1893 – 28 gusht 1956 Vicolo delle Grotte Romë. Ka qenë prefekt i Tiranës gjatë pushtimit fashist. Studimet e para i kreu në Manastir, i vazhdoi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe së fundmi kreu studimet e larta në kolegjin perandorak “Gallata Saraj” të Stambollit, me medalje ari. Ai ishte poliglot. Dinte turqisht, osmanissht, arabisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, latinisht, serbo-kroatisht dhe greqisht. Në 1912-ën, bashkë me shumë studentë të tjerë shqiptarë merr pjesë në ngritjen e flamurit në Tiranë dhe Vlorë. Në 1914-ën është një ndër katër adjutantët e Princ Vidit. Largohen së bashku në Vjenë, ku jetoi aty deri në vitin 1920. Aty, me ndërhyrjen direkte të mareshalit austriak Trolman, i cili mbulonte rajonin e Ballkanit, Qazim Mulleti vijoi studime specializimi shtesë në fushën e diplomacisë ushtarake të luftës. Në vitin 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjës. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës u pengua të hynte në Durrës, ku kishte destinacionin për të ushtruar funksionet e saj, pasi Kongresi e kishte zgjedhur Kryeqytet. Me ndërhyrjen e dajës së Qazimit, Mytesim Këlliçit, Abdi Toptanit dhe Qazim Mulletit, si dhe të delegatëve të tjerë të Tiranës në kongres, qeveria u vendos provizorisht në Tiranë. Shumë patriotë të Tiranës hapën shtëpitë e tyre në dispozicion të qeverisë së re. (Një shtëpi e Mulletëve u bë Ministria e parë e Bujqësisë). Më vonë, në bisedat e Kuvendit Kombëtar, Qazimi mbron dhe argumenton pse Tirana duhet të ishte Kryeqytet i Shqipërisë. Pozita gjeografike, strategjike dhe klimaterike ishin më të favorshme se ato të qytetit të Durrësit. (Tirana, de jure u bë Kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1925). Në shtator të vitit 1920, është Komandant i Forcave Vullnetare kundër Serbisë. Më 25 Prill – 3 maj 1921, ai merr pjesë në Kongresin për Bashkimin Kombëtar në Vlorë, si përfaqësues i Tiranës, në të cilën funksiononte shoqëria patriotike “Vllaznia–Zgjimi”, së bashku me z.Hafiz Ibrahim Dalliu dhe z.Musa Maçi, si përfaqësues të shoqërisë “Lidhja Kombëtare” dhe z.Avni Rustemi të shoqërisë “Bashkimi”. Në Qeverinë e Sulejman Delvinës dhe Fan Nolit, pati një detyrë të rëndësishme, si prefekt në Dibër. Mbas dështimit të Revolucionit largohet nga Shqipëria.
Familja e Qazim Mulletit vuajti persekutimin e përndjekjen më të egër nga regjimi komunist vetëm për shkak të bindjeve dhe idealeve të tyre të lirisë e besimit.