Dita e Pavarësisë, Berisha: Sot Ukraina nën agresionin barbar të Putinit, por populli kremton festën më i fuqishëm se kurrë
Sali Berisha ka reaguar përmes një postimi në Facebook, në ditën e pavarësisë së Ukrainës. Berisha shprehet mes të tjerash se kjo ditë e gjen Ukrainën dhe kombin e saj sovran dhe të lirë nën një agresion ‘barbar që Vladimir Putin, Hitleri i kohës sotme, ndërmori pa asnjë shkak’.
Sipas tij, kjo ka ndodhur për të njëjtat motive për të ‘cilat Fyhreri sulmoi Poloninë në vitin 1939’.
“Por kombi i Ukrainës kremton sot pavarësinë tij më i fuqishëm se kurrë dhe si njëri prej kombeve më të fuqishme, më të lavdishme dhe më të respektuara të kohërave”, thotë Berisha.
Reagimi i plotë:
Sot dita e Pavarësisë së Ukrainës.
Sot kombi i lavdishëm ukrainas feston 32 vjetorin e Pavarësisë.
Kjo ditë e gjen Ukrainën dhe kombin e saj sovran dhe të lirë nën një agresion barbar që Vladimir Putin, Hitleri i kohës sotme, ndërmori pa asnjë shkak, por për të njëjtat motive për të cilat Fyhreri sulmoi Poloninë në vitin 1939.
Kombi i madh i ukrainës kremton sot mes dhimbjeve të mëdha, terrorit të një agresori barbar që ka kryer krime monstruoze kundër njerëzimit, ka vrarë, masakruar barbarisht dhjetëra e mijëra fëmijë, të rinj, të reja burra, gra të moshuar, ka shkatërruar dhe rrafshuar me dhjetëra e mijëra objekte, shtëpi banimi rrafshuar qindra e qindra fshatra dhe qytete.
Por kombi i Ukrainës kremton sot pavarësinë tij më i fuqishëm se kurrë dhe si njëri prej kombeve më të fuqishme, më të lavdishme dhe më të respektuara të kohërave. Ukranasit me rezistencën e tyre epike, me heroizmin e jashtëzakonshëm në fushëbeteja, në udhëheqjen e urtë e guximtare dhe të vendosur të Presidentit Zelenski, mbështetjen e fuqishme të SHBA dhe NATO e vëndeve të lira në botë, ja dolën të ndalojnë marshin e barbarëve në territorin e Ukrainës dhe drejt vendeve të lira të Europës, të dëbojnë pushtuesin nga shumica e territoreve të pushtuara dhe të vendosin epërsinë në fushë betejat në tokë, det dhe ajëri dhe të gjunjëzojnë agresorët rus.
Për të kremtuar këtë ngjarje, ambasadori i Ukrainës në Tiranë z.Volodimir Shkurov dhe bashkëshortja e tij, organizuan në sallat e muzeut kombëtar një pritje, hapjen e një ekspozite dhe shfaqjen e dokumentarit “Përtej Paqes”, kushtuar shkatërrimeve, masakrave, të civilëve, fëmijëve, burrave, grave, të moshuarve krimeve kundër njerëzimit ndaj tyre të ushtrisë terroriste ruse.
Nderim për jetë të rënëve të kombit të Ukrainës.
Sllava Ukraine! #sb