Wed, Nov 27, 2024

Cilat Janë Vitaminat Jetike për 40 Vjeçarët

  • PublishedAugust 25, 2023

Çfarë të vjen ndërmend kur lexon për vitaminat?

AgroWeb.org ju rekomandon t’i perceptoni ato si një ushtri të mirëfilltë ushqyesish që mbrojnë organizmin nga simptomat më të këqija të plakjes.

Një regjim i mirë ushqimor është thelbësor në çdo moshë, por bëhet shumë i rëndësishëm pas moshës 40 vjeçare kur ‘rregullat e lojës’ ndryshojnë tërësisht.

Trupi nuk funksionon njësoj pas moshës 40 vjeç. Shtimi në peshë, sëmundjet e zemrës, diabeti dhe sëmundje të tjera kronike e kanë organizmin në shënjestër.

Një nga mënyrat më të mira për të qenë të shëndetshëm është të merrni vitaminat dhe ushqyesit e duhur dhe jo vetëm nga ushqimet por edhe suplementët.

Lista e Vitaminave 

Më poshtë do të lexoni për vitaminat më të rëndësishme që nuk duhet të mungojnë në regjimin tuaj ditor pas moshës 40 vjeçare.

Vitamina B12

Kur mbush 40 vjeç dhe i afrohesh të pesëdhjetave, vitamina B12 nuk duhet të mungojë.

Ajo është thelbësore për gjakun dhe trurin.

Kjo vitaminë gjendet tek produktet shtazore, të bulmetit dhe vezët, por suplementët janë të nevojshëm sepse me kalimin e moshës përthithja bëhet më e vështirë.

Merrni suplementë në sasinë 2.4 mg në ditë.

Kalçium

Kockat e njeriut përthithin shumicën e kalçiumit përpara moshës 30 vjeçare, por ky ushqyes luan një rol thelbësor në mirëmbajtjen e kockave gjatë gjithë jetës.

Ajo është e dobishme për funksionin e nervave, muskujve, zemrës dhe shumë reagimeve biokimike.

Nëse nuk merrni mjaftueshëm nga kjo vitaminë, atëherë organizmi e merr atë nga kockat dhe rrjedhimisht i dobëson ato.

Është e rëndësishme të mos e teproni me kalçiumin sepse mund të dëmtojë zemrën.

Personat e moshave 40-50 vjeç kanë nevojë për 1,000 mg kalçium në ditë.

Gratë mbi 50 vjeç  duhet të konsumojnë 1,200 mg në ditë.

Vitamina D

Vitamina D është e rëndësishme pas të dyzetave.

Mungesa e saj ka lidhje me diabetin, sëmundjet e zemrës, sklerozën, kancerin e gjirit dhe zorrës.

Vitamina D është e nevojshme edhe për përthithjen e kalçiumit.

Dielli është burimi më i mirë i kësaj vitamine por edhe suplementët.

Magnezi

Magnezi është i dobishëm për të rregulluar tensionin e gjakut, një aspekt i rëndësishëm për 40 vjeçarët të cilët pas këtij pragu janë më të rrezikuara nga tensioni i lartë i gjakut.

Mungesa e magnezit shkakton sëmundjet e zemrës, diabetin dhe inflamacion.

Nëse ushqeheni shëndetshëm, duhet të merrni të paktën 320 mg magnez në ditë.

Magnezi gjendet tek barishtet, bishtajoret, arrorët, farat dhe avokado.

Kujdes! Nëse e teproni me magnezin do të vuani nga diarea dhe të përzierat.

Kaliumi

Kaliumi luan një rol kryesor për mbajtjen e tensionit të gjakut.

Kaliumi ul rrezikun e goditjeve në tru.

Mjekët rekomandojnë të paktën 2 gramë kalium në ditë, në rastet që nuk vuani nga ndonjë sëmundje specifike.

Nëse e teproni me kalium atëherë duhet të tregoni kujdes sepse teprica e këtij minerali dëmton sistemin tretës dhe zemrën.

Kaliumi gjendet tek banania, patatja e ëmbël, fasulet dhe thjerëzat.

Omega-3

Nuk janë vitamina, por acidet yndyrore janë të rëndësishme për të kundërvepruar ndaj ndryshimeve negative në organizëm që vijnë si pasojë e moshës.

Studimet kanë konfirmuar se acidet yndyrore ulin tensionin e gjakut dhe kolesterolin e keq.

Këto acide mbrojnë zemrën dhe trurin.

Acidet yndyrore mund t’i gjeni tek peshku, arrat, farat e linit, barishtet e të tjerë. Suplementët janë të dobishëm gjithashtu.

Përpiquni të konsumoni të paktën 500 mg të këtyre acideve në ditë nëse jeni të shëndetshëm, 800 deri në 1,000 mg në ditë nëse vuani nga sëmundjet e zemrës dhe 2000 deri në 4,000 mg në ditë nëse keni nivel të lartë trigliceridesh.

Nëse jeni duke marrë ilaçe për hollimin e gjakut, konsultohuni me mjekun për dozën e saktë të acideve yndyrore.

Probiotikët

Probiotikët nuk janë as vitamina as minerale por janë të nevojshme për personat mbi 40 vjeç.

Probiotikët e mbajnë stomakun të shëndetshëm dhe ulin rrezikun e sëmundjeve të zemrës, goditjeve në tru dhe diabetit.

Probiotikët janë të dobishëm pas moshës 40 vjeçare kur masa muskulore tkurret dhe tendenca për të shtuar në peshë është më e madhe.

Probiotikët janë kultura të gjalla që gjenden kryesisht tek produktet e bulmetit siç është kosi./AgroWeb.org