Wed, Nov 27, 2024

Merr udhë Dinamo City, trajneri Di Biagio: Projekt ambicioz, sfidë e madhe edhe për mua

  • PublishedAugust 25, 2023

Dinamo ka marrë formë zyrtarisht dhe duke nisur nga e diela në ndeshjen e parë do të quhet Dinamo City, me rezidencën që do ta ketë në Durrës dhe jo më në kryeqytet. Një ndryshim i madh edhe në fanella e logo, ku spikat ngjashmëria me bluzat e Manchester City, ndërsa fanella e dytë do të jetë blu e errët e jo si dikur me blunë tradicionale.

Nuk ndryshon vetëm gërma “D” e madhe, por vjen me valëzime deti, dëshmi që kjo logo tashmë i përket një skuadre nga Durrësi. Me një staf të ri, që nga drejtori dhe trajneri, si dhe me shumë emra të rinj në ekip, nis një epokë e re, me Dinamo City që kërkon të rikthehet lavdishëm në elitën e futbollit shqiptar. Këtë e tha edhe trajneri i ri Di Biaxhio, për të cilin është një sfidë ringritja e Dinamos në majë.

Çfarë ju bindi që të vinit në stolin e Dinamos?

Kam kuptuar se ka dëshirë për t’u rritur, ka dëshirë për të luajtur me të rinjtë, ka dëshirë për të arritur në nëj nivel shumë të mirë, kështu që mjafton të shohësh projektin dhe entuziazmin, për të kuptuar pse kam ardhur këtu.

Mendoni se mund të arrini rezultate menjëherë? A jeni informuar për futbollin shqiptar?

Objektivi është ky. Natyrisht që nuk mund të konkurrojmë për vendet e para në këto momente, por skuadra është në rritje dhe më takon mua t’i bëj të luajnë mirë dhe të arrijnë rezultate të rëndësishme. Janë disa skuadra, që sot për sot janë më të forta se ne.

Megjithatë unë shoh një skuadër që po rritet shumë dhe nëse më bën të njëjtën pyetje pas dy muajsh, mund të flasim në mënyrë tjetër. Objektivi i parë është të rritemi dhe të pozicionohemi në vendet e para, por të jemi objektivë, ka skuadra më të forta.

Keni një CV shumë të pasur dhe ndoshta oferta nga Shqipëria të ka bërë të mendohesh gjatë. A është kjo një sfidë për ty?

Është një sfidë e madhe. E njoh mirë historinë e Dinamos dhe 15 vitet e fundit të saj, ku nuk ka fituar asnjë trofe. Jemi këtu për ta rikthyer në nivele të larta dhe kemi një projekt për ta bërë këtë brenda 2-3 vitesh, ndonëse të jem i sinqertë, unë shpresoj t’ia dalim më shpejt. Jam mësuar të mendoj dhe të shoh gjithnjë lart, por duhet të jem i sinqertë, ky do të jetë një vit rindërtimi.

Ndeshja e parë e kampionatit është ndaj Tiranës?
Do të shohim menjëherë në çfarë pike jemi. Tirana është një skuadër e madhe, me një trajner të madh dhe lojtarë cilësorë. I kam parë të luajnë dhe janë shumë të fortë, ndaj të shohim si do të përballemi me ta.

Do të donit diçka më shumë nga merkatoja?
Jam i kënaqur, sepse më kanë sjellë ata që kisha kërkuar. Gjithnjë ka mundësi dhe duhet të përmirësohemi, ndaje nëse do të ketë nevojë, drejtuesit janë gati të më kënaqin.

Për momentin do të punojmë me këtë organikë. Jemi duke pritur edhe ndonjë lojtar tjetër, por jam i vetëdijshëm për problemet që kemi. Jam optimist, por edhe i vetëdijshëm që duhet të punoj me shumë gjëra. Gjithsesi jam i entuziazmuar dhe me dëshirën e duhur.

Një sfidë edhe për drejtorin e ri sportiv Haris Fakiç pas aventurës së suksesshme me Skënderbeun vite më parë. Edhe Fakiç u shpreh se sezoni i ri do të jetë ai stabilizimit, por me synimin për të bërë më të mirën.

Ndeshja e parë për Dinamo City do të jetë kundër Tiranës të dielën e 27 gushtit, duke nisur prej orës 20:00, sfidë që do të luhet në “Elbasan Arena.”

()

AlbaniaWeb.net