Wed, Nov 27, 2024

“Final Four ndihmon aspektin financiar të skuadrave”, Josa: Nuk më pëlqeu një ndryshim te Dinamo, Partizani ka shanse për kualifikim

  • PublishedAugust 29, 2023

Sezoni i ri i elitës së futbollit shqiptar ka nisur me ndryshime të rëndësishme. Siç dihet, fituesi i kampionatit do të vendosur nga “Final Four”, format ky që pritet të shihet me interes për mënyrën sesi do shkojnë gjërat. Risi te Dinamo, me klubin kryeqytetas që do të quhet Dinamo City. Laçi, pas javës së parë të edicionit nuk hezitoi të shkarkonte trajnerin Stavri Nica, pas atij barazimi me gola ndaj Erzenit. Trajneri i mirënjohur, Mirel Josa ka dhënë një intervistë ekskluzive për Sport News në News 24, duke dhënë këndvështrimin e tij në emisionin e drejtuar nga moderatorja Trevisa Tufa.

 

Profesor, kjo ishte një verë e nxehtë, ku nuk mungoi as emri juaj, si gjithmonë. Nuk të bindi asnjë projekt? Kishte diçka të vërtetë?

Nuk kam diskutuar shumë. Dy skuadra ishin që bisedova me to. Unë e pashë të udhës që ato ekipe të vazhdojnë rrugën e tyre, pasi nuk jemi vetëm ne që duhet të punojmë. Njeriu ka nevojë edhe për pak pushim. Ia lejmë kohës se çfarë do të bëhet.

Çfarë kërkon Josa në këtë pikë të karrierës? Çfarë ju tundon, keni fituar gjithçka, jeni trajneri me më shumë trofe…

Nuk është problemi që një trajner duhet t’i fitojë të gjitha. Rëndësi të madhe ka organizimi i skuadrave dhe sjellja e këtyre të fundit ndaj trajnerëve.

Profesor, ky sezon nis me një skemë të re, unike për hir të së vërtetës, çfarë mendoni, a do të ketë efektin që organizatorët mendojnë?

E kemi diskutuar gjatë gjithë kësaj periudhe. Ky është një vendim që është marrë dhe këtë vendim e ka diskutuar Federata. Sa i takon vendeve që janë për Europë, varet si do shkojnë gjërat. Nuk e di si janë shprehur skuadrat e mëdha. Qoftë skuadrat e mëdha, qoftë të vogla nëse mund t’i quajmë kështu, të dyja anët e medaljes do të favorizojnë skuadrat që nuk janë të forta nga ana financiare.

Pyetja që bën çdo sportdashës, çfarë vlere kanë 36 javë, kur gjithçka vendoset në “Final Four”?

Çdo javë kampionati duhet shikuar për konsolidim. Javë e parë ishte javë prove pasi ekipet vijnë nga Europa apo nga përgatitjet. Faza kur eliminohesh nga Europa është mjaft e vështirë. “Final Four” varet edhe nga mënyra sesi i gjen skuadrat, vlen të përmendim dëmtimet apo kartonët.

Tirana u shpreh kundër, Partizani, Vllaznia gjithashtu, ekipet e mëdha, për çfarë shërben kjo skemë atëherë?

Kjo skemë favorizon skuadrat që nuk janë të forta financiarisht. Pra, ana financiare e përfitimit nga kampionati apo Federata do të jetë pak më e lartë, në përgjithësi nga skuadrat.

E nisim nga ngjarja e fundit, pas vetëm një jave Laçi shkarkon Stavri Nicën, si mund të ndodhë kjo profesor? Është normale?

Asnjë lloj shkarkimi nuk është normal. Varet se çfarë problemi ka klubi nga brenda. Nëse i futemi diskutimit pse u divorcuan palët, mund të themi që asnjëri nuk do dëshironte këtë punë. Duhet të jesh brenda klubit, për të kuptuar mënyrën sesi kanë shkuar gjërat. Nuk është mirë të flitet përse e mbajtën një trajner dhe përse e larguan. Barazimi, si duket, ka lënë shije të keqe te kurbinasit.

Sigurisht vëmendja kryesore ishte te derbi i kryeqytetit, por fillimisht, çfarë do të thotë kjo logo për ty Dinamo City, me seli në Durrës, ndeshjet do t’i luajë në “Elbasan Arena”, ka diçka që e lidh me Dinamon që njeh ti, që njohin tifozët?

Ka gjëra që  e lidhin me Dinamo. Dinamo City nuk është ndonjë problem pasi fundja e fundit mund t’ia vendosin “Qyteti”, në shqip. Problem për mua është lëvizja në Durrës nuk është normale. Mesa di unë, ky klub ka patur projekt edhe më përpara, pra para se të shfaqej bashkëpunimi me Manchester Cityn. Nga momenti që të hapet një hapësirë e madhe financiare, drejtuesit e Dinamos kanë sjellë investitorë të ri si ata të Manchester Cityt, ne jemi të detyruar të pranojmë këto gjëra.

Ishte derbi për ju, të krijojë atë përshtypje?

Janë ndeshjet e para. Dinamo? Ishte përfaqësim i ri, deri më tani të gjitha informacionet për ta i kemi marrë nga shtypi. Nuk është problemi te derbi Tirana-Dinamo, por të luhet një ndeshje e tillë në “Elbasan Arena” nuk më duket normale. Më mirë nëse takimi luhej në kryeqytet.

Di Biaxho në stol, një emër i njohur, sërish italian, por nuk ka shumë emra të tillë në fushë, duket një ekip normal, si e vlerësoni Dinamon këtë sezon, mund të jetë protagoniste?

Ky trajner ka qenë lojtar i madh. Nuk e besoj se gjithçka qëndron te trajneri. Tekniku ka punën e tij  bashkë me stafin, me tepër e kam te mentaliteti dhe te lojtarët që janë te kjo skuadër. Skuadra me gjasë do lëvizë sërish nga elementët që mund të afrojë.

Tirana vuan, por në fund fiton, si e vlerësoni ekipin e Shehit këtë sezon, si të duket grupi i krijuar?

Kjo Tiranë më duket e fortë, duhet të ketë më tepër stabilitet nga krahët e mbrojtjes. Problemi i Tiranës është gjeta e një qendërsulmuesi të mirë. 3-pikëshi i marrë në derbi ndaj Dinamos do jetë mjaft i vlefshëm për gjendjen te bardheblutë.

Te Tirana nuk fshihen kurrë profesor, futen gjithnjë në fushë me një objektiv të vetëm titullin, i ka Tirana elementët për ta bërë diçka të tillë, një vit më parë psh kishte shumë mangësi, por i shkoi deri në fund…

Unë mund të them që ka. Trajneri Shehi i ka menaxhuar mirë problemet së bashku me Osmanin. Deri në fund të lëvizjes së lojtarëve nuk i  dihet, mund të ikë dhe ndonjë tjetër.

Një nga rivalët e Tiranës në këtë garë shihet Egnatia, por Skënderbeu i bëri një surprizë të hidhur, i mposhti në shtëpi, a mund të bëjë Egnatia këtë hap të madh, si e shihni këtë sezon?

Edhe vjet kështu e filloi Egnatia. Unë e kam ndjekur Egnatian në dy ndeshjet e Europës. Pavarësisht se pësoi shumë gola gjatë këtyre ndeshjeve, më pëlqeu mënyra sesi luajti. Mund të them që Egnatia kishte shumë siguri se do të fitonte. Pamë një Skënderbe që ishte vendosur shumë mirë në fushë. Në momentet që dilte përpara ishte shumë rrezikshëm. Duhet të kemi parasysh që asnjë nga skuadrat nuk do të kenë siguri.

Me fitore e nisi sezonin edhe Vllaznia, fitoi bindshëm ndaj Kukësit, por historia është ndryshe këtë vit, nuk flasin për titull, nuk i kanë kartat për ta bërë diçka të tillë?

Të lejnë mbrapa ndeshjen e fituar me Kukësin dhe të shikojnë përpara. Kukësi ka patur probleme në dy muajt e fundit. Favoritë do të jenë për të luftuar në çdo ndeshje. Vllaznia duhet të ketë tru, për sa i përket pretendimeve që kanë dhe mundësive.

Profesor, si e keni parë Partizanin në këtë aventurë Evropiane, është vetëm një hap larg…

E kam ndjekur Partizanin në këtë periudhë. Të kuqtë nuk më pëlqyen në asnjë aspekt ndaj Bate Borisov. Më pëlqeu vetëm presingu në gjysmë-fushën kundërshtare, asgjë tjetër. Bate ishte një nga skuadrat më të forta, tani ka ardhur momenti për të luajtur me Astanën. Tani kemi ndeshjen me Astanën, e pashë ndeshjen e parë. Skuadra ndryshoi diçka në pjesën e dytë. Shansi i kualifikimit? Po, ka. Shanset nuk i shikoj vetëm te rezultati. Edhe ne atëherë jemi eliminuar nga një ekip ukrainas, pra po flas për kohën kur isha pjesë e Skënderbeut. Astana është skuadër me eksperiencë. Partizani bëri diçka në pjesën e parë. Varet sesi do të shfaqet në fushë.

()

AlbaniaWeb.net