Nafta në Shpirag/ “U zbulua nga gjeologët shqiptarë para disa vitesh”, inxhinieri: Nuk ka afat për daljen në treg
Inxhinieri Jorgji Hanxhari përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e News24 ka komentuar zhvillimet rreth burimit të naftës që është zbuluar në Shpirag së fundmi.
Ai u shpreh se meritat për zbulimin e këtij vendburimi i takojnë gjeologëve shqiptarë të cilët kanë kryer projektimet fillestare, por që sipas tij nuk kanë pasur teknologjinë e duhur për të vijuar me shpimin.
Hanxhari shtoi se ka ende shumë pikëpyetje në lidhje me këtë pus, ndërsa tha se është akoma herët për të përcaktuar një afat për daljen në treg të naftës nëse do jetë e vlefshme.
Sipas tij fillimisht duhet të vijojë puna për shpimin e puseve dhe më pas ndërtimi i infrastrukturës për nxjerrjen, transportin e pastrimin.
“Zbulimi i këtij vendburimi i takon gjeologëve tanë në Fier që kanë projektuar pusin që nuk është shpuar për shkaqe teknologjike. Ky është në afërsi me Shpiragun dhe puset atje janë parashikuar nga gjeologët tanë. Është pak e pakuptueshme ndërrimi i emrit nga vendburimi Sqepur në Shpirag.
Ka ende shumë pikëpyetje në lidhje me këtë pus. Ai është ende në fazën fillestare dhe rezultatet priten siç u tha në tetor. Përse kaq gjatë, e vërteta është se formacionet janë të forta dhe shpimi paraqet vështirësi.
Është e vështirë të përcaktohet një afat për daljen në treg të naftës nëse do jetë e vlefshme. Fillimisht duhet të vijojë puna me shpimin e puseve. Po ashtu ka punime të tjera si ndërtimi i tubacioneve apo impianteve të naftës dhe gazit për transportin, pastrimin, etj”, u shpreh ai.