Wed, Nov 27, 2024

A është kërcënuar kreu i SPAK Altin Dumani? Ja çfarë deklaron ministri Balla

  • PublishedAugust 30, 2023

TIRANË

Ministri i Brendshëm Taulant Balla është pyetur sot edhe për masat e sigurisë për kreun e SPAK Altin Dumani.

Teksa u pyet nëse ka ndryshuar plani i mbrojtjes fizike të kreut të SPAK dhe nëse ka pasur kërcënime, Balla sqaroi se nuk ka një kërkesë nga ana e Dumanit për masa dhe se nuk ka dijeni për kërcënime.

“Nuk dua që të hidhet diçka në media dhe pastaj kjo gjë bëhet pjesë e lajmit të ditës. E vërteta është krejtësisht ndryshe dhe dua të garantoj jo vetëm prokurorët e SPAK, gjyqtarët, por çdo qytetar se Policia e Shtetit është në detyrë për të garantuar që çdokush të jetë i sigurt. Në këtë këndvështrim kam komunikuar me drejtorin e Policisë së Shtetit të cilit i kam kërkuar të marrë kontakt me z. Dumani për të garantuar që Policia e Shtetit të bëjë detyrën, sikurse ne synojmë të garantojmë sigurinë publike të çdo qytetari, kemi përgjegjësinë maksimale për të garantuar sigurinë maksimale të çdo zyrtari të këtij shteti”, tha Balla.

Ai theksoi se nuk do mungojë në asnjë moment vëmendja dhe kujdesi i policisë së Shtetit.

“Deri në këtë moment nuk jam informuar që të kemi një problematikë për atë që ju thoni.Nuk kam informacion që të kemi një kërkesë për këtë, por në çdo rast mundohemi që t’i verifikojmë. Në vlerësimin tim, pas komunikimit me drejtorin e Policisë më rezulton se lajmi juaj është i pavërtetë”, deklaroi Balla.

 

AlbaniaWeb.net