Taksat dhe energjia, nënshkruhet kredia 110.8 milionë euro për politikat e zhvillimit
Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) (pjesë e Bankës Botërore) dhe përfaqësues të qeverisë shqiptare duket se kanë nënshkruar tashmë një marrëveshje kredie prej 110.8 milionë eurosh e cila do të destinohet për politikat e zhvillimit.
Marrëveshja e publikuar nga BB mban datën 28 gusht dhe parashikon një kredinë “Rezistenca e parë në Shqipëri dhe Zhvillimi i Gjelbër- Hua e Politikave të Zhvillimit”. Por cili është objektivi i kësaj kredie 110.8 milionë euro e cila do të disbursohet me një transh?
Referuar shpjegimeve që bëhen në një seksion të veçantë të marrëveshjes kredia do të mbështesë tre shtylla. E para është ajo e forcimit të rezistencës së qeverisë dhe të familjeve.
E shtjelluar më gjerë kjo përfshin nismën për zgjerimin e bazës së taksës, së dyti përmirësimi i pasqyrimit të riskut fiskal në buxhetin e shtetit duke nënkuptuar ekspozimin e këtij të fundit ndajnë fatkeqësive natyrore dhe masave që adresojnë këtë. Po kështu rritja e rezistencës ndaj ndryshimeve klimatike në sektorin e investimeve publike ku do të zhvillohet një vlerësim për këtë. Në finale edhe përmirësimi i efektivitetit dhe përfitimeve të paaftësisë.
Në shtyllën e dytë është forcimi i kuadrit të tregut të energjisë dhe rritja e pjesës së energjisë nga burimet e rinovueshme dhe eficienca e energjisë. Në këtë aspekt, marrëveshja sjell në vëmendje ligjin e ri për burimet e rinvoueshme që është miratuar tashmë ndërkohë dhe synimet për diversifikim të sektorit.
Një tjetër element që do të mbështetet është promovimi i një tregtimi energjie transparente dhe në formë konkurruese teksa tashmë ka nisur nga funksionimi që nga muaji prill edhe Bursa Shqiptare e Energjisë. Lidhur me eficiencën kredia parashikon nxitjen e sektorit publik për të shkuar më shumë drejt projekteve që kursejnë energji, një tregues ku ende Shqipëria mbetet me arritje modeste.
Për sa i takon sektorit të energjisë, kjo nuk është mbështetja e parë që qeveria merr nga bankat. Më herët, ishte një kredi për rimëkëmbjen e sektorit teksa një tjetër kredi e BERZH po mbështet kompaninë e shpërndarjes.
Shtylla e tretë që do të mbështetet nga kredia është ajo për mbrojtjen e mjedisit dhe reduktimin e karbonit.
Qeveria sipas kalendarit që përfshin marrëveshja parashikohet që të nisë ripagimin e kësaj kredie tek Banka Botërore në vitin 2028 deri në vitin 2040./Monitor/