Zekic pas ndeshjes: Jam i mërzitur, Partizani me probleme psikologjike, vendime të çuditshme të arbitrit
Partizani u eliminua në Play off të Conference League nga skuadra e Astanën. Pas barazimi 1-1 me Astanën në “Elbasan Arena”, doli në konferencë trajneri i të kuqve, Zoran Zekic.
NDESHJA – Sigurisht që jam i mërzitur. Edhe po të shohësh djemt në dhomat e zhveshjes janë të zhgënjyer. Kemi zhvilluar ndeshje të mirë dhe kemi bërë pak gabime nga ana tekniko-taktike.
FRIKA – Asaj që i druhesha ishte shpërqëndrimi, një gjë që e biseduam dhe në dhomat e zhveshjes. Në prekjen e parë të topit ata na ndëshkuan.
PREKA NË SULM – Futa Kekon dhe Prekën si qendërsulmuesa që të provonim me krosime. Por mendoj që kemi pasur probleme me 5 apo 6 lojtarë siç është Grezda pasi vetëm ditën e djeshme është stërvitur normalisht.
ARBITRI – Nuk e kam në mënyrën time që të flas shumë, por vendimet e arbitrit ishin të çuditshme. Pas 5 minutash lojë na ndëshkoi me karton të verdhë. Rasti i Rrapaj ishte i dyshimtë, por jam i habitur me arbitrin që nuk shkoi tek VAR.
GABIMET TAKTIKE – Kur bën një presing të lartë, mund të bësh dhe gabime taktike. Duke bërë një apo dy gabime edhe skuadra futet nën presion.
ZËVENDËSIMET – Përsa i përket zëvendësimeve të Carës dhe Rrapajt patëm ndryshime pasi futëm Prekën. Ai kishte mundësi, por përsëri nuk ia arritëm. Kishim mundësi të shënonim në minutat e fundit por nuk ia arritëm.
PSIKOLOGJIA – Kemi pasur probleme dhe nga ana psikologjike. Fola për këtë në dhomat e zhveshjes. U goditëm menjëherë dhe këto janë të lidhura me anën psikologjike.
PRESINGU – Kur luan me presing të madh është e vështirë që të luash gjatë gjithë ndeshjes. Nuk mund të përgjigjesh me të njëjtin ritëm gjatë 90 minutave.Nuk kisha lojtarë për të zëvendësuar në pozicione korrekte.
BINTSOUKA – Jam i kënaqur me të, por nuk mund të jem i kënaqur momentalisht me rezultatin apo si përfundoi kjo ndeshje. Tashmë e kemi vëmendjen tek Superiorja.
()