Tue, Nov 26, 2024

Xhaçka me homologen Joly: Rritje e investimeve kanadeze në Shqipëri, marrëveshje për sigurimet shoqërore

  • PublishedSeptember 1, 2023

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka priti sot në një takim ministren për Punët e Jashtme të Kanadasë, Melanie Joly.

Në një deklaratë të përbashkët për mediat, Xhaçka u shpreh se në takim u diskutua për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe forcimin e mëtejshëm të tyre në fusha me interes të përbashkët.

“Vizita e MPJ kanadeze është shprehje e vullnetit për ta zhvilluar në mënyrë intensive bashkëpunimin tonë”, theksoi Xhaçka.

Ministrja nënvizoi se në 35 vite marrëdhënie diplomatike, relatat Shqipëri-Kanada kanë njohur rritje të vazhdueshme.

Xhaçka theksoi se, roli dhe kontributi i Kanadasë në arenën ndërkombëtare është rritur dukshëm.

“Ministrja Joly ka kontribut të dorës së parë në intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, tha Xhaçka, teksa shtoi se, në takim u diskutua për mundësitë për të rritur praninë dhe investimet kanadeze në Shqipëri.

“Vlerësova rëndësinë e riaktivizimit të Fondit Kanadez për Iniciativat Lokale për të mbështetur programe të ndryshme”, shtoi më tej ministrja.

Xhaçka u shpreh se, pjesë e diskutimeve ishte edhe Marrëveshja e Sigurimeve Shoqërore ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë.

“Shprehëm mbështetjen tonë të palëkundur për sovranitetin e Ukrainës”, tha Xhaçka, e cila shtoi se, “konstatuam nevojën për të forcuar koordinimin tonë dypalësh, me vendet e njëmendta dhe partnerët tanë në NATO”.

“Shqipëria mirëpret një përfshirje më të madhe e më intensive të bizneseve kanadeze në ekonominë e saj”, nënvizoi Xhaçka, teksa u shpreh se, “shpresojmë të hapim një faqe të re në marrëdhëniet tona, duke intensifikuar marrëdhëniet bazuar në vlerat e përbashkëta”

Xhaçka theksoi gjithashtu se, “qeveria shqiptare është e përkushtuar maksimalisht për ta çuar këtë marrëdhënie përpara”.

AlbaniaWeb.net