Fri, Nov 29, 2024

“Berisha nuk përjashton krijimin e një partie të re”, Murati: Asambleja e PS-së mund të sjellë surpriza në qeveri

  • PublishedSeptember 1, 2023

Kryeredaktori i Gazetës Shqiptare, Erl Murati, i ftuar në studion e News24 ka folur në lidhje me situatën politike në vend në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar.

Murati komentoi fillimisht zhvillimet në kampin e PD-së, e cila ditën e nesërme do të zhvillojë Kuvendin Kombëtar, për të cilin ai tha se synimi i kësaj mbledhjeje është i paqartë.

“Unë e kam të paqartë synimin e Kuvendit të PD nesër, pavarësisht se ka një axhendë publike. Se çfarë kuptohet me ristrukturim të partisë, mbetet për t’u parë. Në përgjithësi opozita është në situatë jo të mirë. Nëse opozita rri në këto ujëra dhe liderët e opozitës rrijnë të veçuar, është e vështirë të ngjallet besim te publiku”, u shpreh ai.

Sa i përket mundësisë së bashkimit mes Gazment Bardhit dhe Sali Berishës, ai tha se opozita mbetet në gjendje shumë të vështirë pasi sërish mbetet e përçarë.

“Pavarësisht se Bardhi dhe Berisha mund të bashkohen, kjo do të ishte e papërfillshme për forcimin e opozitës, pasi të gjithë faktorët duhet të bëhen bashkë. Vështirësia e opozitës qëndron te raporti i tyre me qytetarët e thjeshtë. Shoh që opozita është e përçarë në shumë copa dhe vështirë të jetë kompetitive në të ardhmen”, shtoi ai.

Sipas tij Berisha tanimë nuk e përjashton mundësinë e krijimit të një partie të re dhe mund të ketë pranuar se nuk do e marrë më logon e Partisë Demokratike zyrtare.

“Berisha tani nuk e përjashton krijimin e një partie të re, veçmas PD-së zyrtare. Në këtë pikë ai nuk e përjashtoi mundësinë, gjë që do ishte një rrjedhje natyrale për këtë situatë”, tha ai.

Sa i takon asamblesë së Partisë Socialiste, e cila do të mbahet të hënën, Murati tha se surprizat nuk përjashtohen në ndryshimet që priten të vijnë në qeveri.

“E vështirë të parashikohet cilët ministra do lëvizin, pasi Rama e vendos personalisht përbërjen e qeverisë. Të gjithë funksionarët dhe të emëruarit e mësojnë në transmetim direkt se në cilat dikastere janë emëruar. Ka pasur edhe largime surprizë në të kaluarën, pasi ministra të caktuar janë lavdëruar për punën e tyre. Nuk përjashtohen as surprizat në asamblenë e PS-së.

Nuk besoj se Rama i dorëzon emra drejtësisë, edhe pse mund të ketë më shumë informacion se ne. SPAK po fillon të ecë në këmbët e veta, pavarësisht kontrollit që mund të ketë mbi informacione mazhoranca.

Beleri është shtetas shqiptar. Nëse duhet ta mbrojë dikush është shteti shqiptar, jo ai grek. Rasti i tij i takon drejtësisë, nuk mund të ketë implikime diplomatike. Kryeministri ka pak në dorë për të bërë në këtë pikë”, deklaroi Murati.

AlbaniaWeb.net