Vrau babain me eksploziv, Gjykata e Vlorës e lë në burg. 23-vjeçari: Na dhunonte të gjithëve, më kishte nxjerrë disa herë nga shtëpia
Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 23-vjeçarin Mateo Gllucaj, i akuzuar për vrasjen e babait të tij, tre ditë më parë në Selenicë. Seanca gjyqësore është zhvilluar me dyer të mbyllura.
Gjyqtarja e çështjes ka pranuar kërkesën e prokurorisë për një masë më të ashpër sigurie pasi sipas tyre provat janë evidente. Në sallë është marr edhe dëshmia e 23-vjeçarit i cili ka mbajtur të njëjtin qëndrim si në komisariat. Ai ka pranuar krimin teksa ka dëshmuar se babai i dhunonte të gjithë dhe për më tepër shumë herë e kishte nxjerr nga shtëpia.
Si në polici dhe në gjykatë deri më tani ai s’ka treguar se ku i ka gjetur municionet e gjetura në banesë. Gjykata ka pranuar kërkesën për “arrest me burg” dhe më pas i riu është transportuar drejt paraburgimit.