“Bashkimi, A-ja e politikës”, Tritan Shehu për tryezën e përbashkët të deputetëve të PD: Berisha, politikan i regjur, e kupton që…
TIRANË
Deputeti i PD-së Tritan Shehu ka folur sot në News24 për tryezën e mbledhur nga kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi me deputetët e PD-së.
Shehu e cilësoi një proces normal dhe të domosdoshëm dhe theksoi se në politikë ka ndarje, divorce, por ka dhe ribashkim.
Sa i përket qëndrimit të Berishës, ai deklaroi se ai është një politikan i regjur, me eksperiencë të madhe dhe e kupton qartësisht që procesi i bashkimit është i domosdoshëm në situatën që jemi.
“Mendoj që është krejtësisht normale ideja e bashkimit, jo vetëm e moralshme dhe e domosdoshme për opozitën shqiptare, ideja e bashkimit. Në politikë ka ndarje, divorce, por ka dhe ribashkime. Është një fenomen normal të të gjithë politikën botërore. Ka momente, çaste, është reflektimi që të bën të bashkohesh me kolegët. E dëmshme dhe deri diku e pajustifikueshme ishte ndarja dhe ato momente të vështira që u krijuan në grupin parlamentar. Tani po shkojmë drejt një kohezioni.
Ku mund ta gjejë dikush të pamoralshme në një proces bashkimi politik. Është A-ja e politikës.
Ne prej kohësh kemi kërkuar të qëndrojmë së bashku për betejën opozitare. Kemi biseduar së bashku për nevojën e një afrimi midis nesh. Disa herë kam thënë të ulemi për të negociuar, për të debatuar mes nesh për të qenë në sinkron me njeri-tjetrin”, deklaroi Shehu.
Ai theksoi më tej se po prevalon ideja e të qenit së bashku përballë regjimit dhe kjo të bën të anashkalosh probleme të tjera.
“Berisha është një politikan i regjur, me eksperiencë të madhe dhe e kupton qartësisht që procesi i bashkimit është i domosdoshëm në situatën që jemi përballë një regjimi, prevalon përballë shumë elementëve të tjerë. Kështu i shërbehet opozitës, qytetarëve që kërkojnë një ndryshim në Shqipëri. Unë mendoj se nuk kemi asgjë të çuditshme në këtë rast. Janë zhvillime normale në hapësirën demokratike të një vendi demokratik. Rëndësi ka që po prevalon ideja e të qenit së bashku përballë regjimit, kjo të bën të anashkalosh probleme të tjera.
Berisha është kryetar i PD, i zgjedhur në mënyrë të rregullt dhe demokratike si kryetar i saj. Berisha ka përgjegjësi të mëdha si kryetar i forcës opozitare kryesore që është PD-ka dhe është nga ata persona që di të bëjë bashkimin”, u shpreh më tej deputeti i PD.