Fri, Nov 29, 2024

“Rrjepaj dhe Rrapaj ishin shokë shkolle”, gazetarja e BIRN: Ilir Beqaj duhet të procedohej penalisht, ka dijeni për…

  • PublishedSeptember 7, 2023

Gazetarja e BIRN Aleksandra Bogdani, e ftuar në studion e emisionit “Open” ka folur në lidhje me aferën e sterilizimit dhe hetimet e SPAK në lidhje me të.

Bogdani u shpreh se të akuzuarit Ilir Rrapaj dhe Klodian Rrjepaj kanë pasur njohje me njëri-tjetrin, gjë që ka sjellë konflikt të pastër interesi në dhënien e këtij koncesioni.

Ajo shtoi se edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj do duhet të ishte proceduar penalisht nga drejtësia pasi ka pasur dijeni për komunikimet mes vartësit të tij dhe biznesmenit Rrapaj dhe njohjen e tyre.

“Sterilizimi është dosja që është mbajtur më gjatë në SPAK. Kësaj dosje i mungon hetimi pasuror dhe është prekur shumë pak ndjekja e parave të sterilizimit. Kreu i komisionit të dhënies së koncesionit, Rrjepaj ishte shok klase i vjetër me Ilir Rrapajn që përfitoi koncesionin. Ky ishte konflikt i pastër interesi.

Kompania është favorizuar edhe gjatë procedurave të negociatave duke zhytur në borxhe spitalet për faturat e energjisë. Hetimet janë të paplota. Nga të dhënat e dosjes Beqja duhet të ishte nën procedim penal. Nuk ka marrë asnjë veprim për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes Rrapajt dhe Rrjepajt. Ai ka qenë në dijeni të qartë që këta persona kishin lidhje miqësore të vjetër”, u shpreh ajo.

AlbaniaWeb.net