Trajneri i Çekisë pas ndeshjes: Jemi të zhgënjyer, i dhuruam golin kundërshtarit
Trajneri i Çekisë, Silhavy nuk mund të ishte i kënaqur pas barazimit 1-1 me Shqipërinë.
“Nuk fituam, djemtë janë të zhgënjyer, janë kokulur në dhomat e zhveshjeve. Ne u përmirësuam në pjesën e dytë, shënuam dy gola, por vetëm njëri kishte vlerë. Për fat të keq, pas gabimit tonë, ne i dhuruam një gol kundërshtarit. Është një mëkat, duhej të kishim fituar.
U çudita edhe unë nga pjesa e parë. Por njëkohësisht e dinim se si do të shkonte, që kishim një ndeshje shumë të rëndësishme për të luajtur. E nisëm nervozë, pa lëvizje, duke bërë shumë pak dyluftime. Pjesa e parë nuk shkoi mirë për ne. Por jam i lumtur që u përmirësuam pas pushimit dhe e kthyem në një performancë më të mirë.
Gabimi i Kral te barazimi? Nuk dua t’i jap shumë vlerë, që të ndëshkoj dikë verbalisht, Po, Aleks bëri një gabim, mbrojtësit duhej të shkonin përballë gjuajtësit. E vërteta është që Bajrami e goditi topin shumë mirë.
Për fat të keq, ne jemi vetëm një pikë para, kualifikimi vazhdon. Shqipëria luan me Poloninë, ne shkojmë në Shqipëri në tetor, në një ndeshje që do të tregojë shumë gjëra. Pastaj na mbeten edhe tre ndeshje. Shumë keq që nuk fituam. Mund të kishim krijuar një avantazh të madh”, – tha ai.